Kuriozitete

Protesta në Tiranë/ Policia: Arrestohen 16 persona dhe procedohen 49 të tjerë, 6 efektivë të lënduar

Policia e Tiranës ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë në lidhje me aktet e dhunës dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme (13 tetor), përpara Ministrisë së Arsimit dhe në zona të tjera të kryeqytetit. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë tubimit disa persona të maskuar kanë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private. Si pasojë e përplasjeve, janë dëmtuar gjashtë punonjës policie.

Gjatë protestës janë shkaktuar dëme në godinën e Ministrisë së Arsimit, ku janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret. Po ashtu, janë dëmtuar kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Sipas policisë, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, ndërsa është dëmtuar edhe fasada prej xhami e një banke të nivelit të dytë.

Një tjetër incident është regjistruar në rrugën “Ded Gjon Luli”, ku, sipas njoftimit zyrtar, është thyer me forcë njëra prej dyerve të godinës së Bashkisë së Tiranës dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.

Në vijim të hetimeve, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, policia ka arrestuar në flagrancë 16 shtetas, të moshave nga 23 deri në 59 vjeç. Ata dyshohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë goditjen për shkak të detyrës, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, shkatërrimin e pronës, shkatërrimin e pronës me zjarr dhe kundërshtimin e punonjësve të rendit publik. Në njoftimin e policisë përmenden gjithashtu veprat penale të vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit, si dhe prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta. Përveç të arrestuarve, 49 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht në lidhje me ngjarjet e regjistruara gjatë protestës. Autoritetet po punojnë gjithashtu për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kryera gjatë tubimit të 13 tetorit.

Të Ngjashme