Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebeza ka thënë se mjetet për komuna nuk janë marrë nga Qeveria.
Ai ka thënë se mjetet do tu kthehen komunave, duke mohuar pretendimet e drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.
Prebeza ka thënë se është fakt që buxheti po komunat është rritur nga vitit 2021.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizimi që, në parim, mbron dhe përfaqëson interesat e komunave, por ai nuk është i ndërtuar për t’iu kundërvënë nivelit qendror. Komunat dhe Qeveria nuk janë palë në anë të kundërta. Përkundrazi, bashkëpunimi ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror është në interes të qytetarëve. Faktet flasin qartë, nga 546 milionë euro buxhet i ndarë për komunat në vitin 2021, në vitin 2027 ky buxhet pritet të arrijë në 907 milionë euro. Kjo është një rritje prej 66%.Mjetet për komunat nuk janë zhdukur dhe as nuk janë “marrë” nga Qeveria siç thuhet në pretendimet e Drejtorit Ekzekutiv Sazan Ibrahimi. Ato kthehen sërish në komuna, përmes projekteve investuese që kanë për qëllim përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve. Dhe për këtë jemi vet dëshmitar si qeverisje komunale në këto vite”, ka shkruar ai në Facebook.
Prebeza ka thënë se dëmi i madh komunave u është shkaktuar nga kontrata kolektive të nënshkruar gjatë qeverive Mustafa dhe Haradinaj.
“Për këtë kontratë dhe pasojat financiare që ajo ka shkaktuar për komunat. Për këtë Asiciacioni asnjëherë nuk është deklaruar kundër dhe nuk kanë ngritur zërin për dëmet e shkaktuara. Asociacioni duhet të jetë zëri i të gjitha 38 komunave, jo zë selektiv i disa prej tyre. Roli i tij duhet të jetë bashkëpunimi dhe përfaqësimi i interesave të pushtetit lokal, jo ndërtimi i një fronti politik kundër Qeverisë. Kosova ka nevojë për punë, bashkëpunim dhe zhvillim, jo për protesta pa kauzë. Interesat e komunave nuk mbrohen me dezinformim, alarm të rremë apo thirrje për protestë puro politike”, ka shkruar ai.
Disa prej komunave të Kosovës sot do të protestojnë në Prishtinë, duke pretenduar se Qeveria ua ka marrë mjetet.
