Analistët politikë Xhavit Drenori dhe Visar Xani janë shprehur skeptikë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes subjekteve politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, para 6 tetorit, afatit të përcaktuar në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Duke diskutuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Drenori ka thënë se do të ishte e nevojshme që partitë politike të gjejnë një zgjidhje që do ta evitonte shkuarjen në zgjedhje, duke vlerësuar se një skenar i tillë do të kishte më shumë përparësi sesa mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Ai ka përmendur edhe vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se kjo situatë duhet të shërbejë si momentum që skena politike t’i tejkalojë dallimet.
“Jam i prirur të besoj që mund të ketë një marrëveshje të tillë. Është e interesit nacional që ajo të arrihet, sepse çështja e vendimit të Hagës realisht është koha e fundit që të ruhet sado pak diçka që është shumë e shenjtë, e ajo gjë është UÇK-ja”, ka deklaruar Drenori.
Ai ka bërë thirrje që në ditët e mbetura deri më 6 tetor subjektet politike të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Uroj që ditëve në vijim, pra në këto ditë që kanë mbetur para 6 tetorit, subjektet politike të gjejnë një zgjidhje e cila i eviton zgjedhjet, sepse evitimi i tyre ka shumë përparësi dhe e kundërta ka shumë rreziqe, pra nëse zgjedhjet provokohen”, ka thënë ai.
Ndërkaq, analisti Visar Xani ka vlerësuar se deklarimet dhe pozicionimet e fundit të partive politike japin më shumë sinjale për përgatitje për zgjedhje sesa për një marrëveshje që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit dhe funksionimin e plotë të institucioneve.
“Fatkeqësisht, më shumë sinjale sikur parapërgatitje për zgjedhje edhe pozicionim. Këto debatet e fundit politike konsideroj që nuk po na çojnë drejt një bashkimi të madh që na garanton president dhe ndryshim të ligjit për Specialen, por që na garanton edhe funksionim të plotë të institucioneve”, ka deklaruar Xani.
Sipas tij, edhe çështjet që lidhen me UÇK-në dhe situatën aktuale politike nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i afruar subjektet politike dhe për t’i tejkaluar dallimet mes tyre.
“Pothuajse edhe këto kauza të rëndësishme, qoftë UÇK-ja, qoftë situata në të cilën jemi, prapë nuk po është e mjaftueshme që subjektet politike t’i kalojnë ato inatet apo ndasitë politike për ta çuar vendin tutje dhe interesat nacionale të jenë me të vërtetë interesa nacionale”, ka thënë Xani.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se ende ekzistojnë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje që do ta shmangte shkuarjen në zgjedhje.
Ai ka përmendur tri mundësi që, sipas tij, aktualisht janë në diskutim.
“Gjithsesi, ka mundësi të bollshme, nëse ka vullnet për të gjetur një zgjidhje për të mos shkuar në zgjedhje. Çelësi kryesor po del të jetë presidenti dhe, te kjo çështje, tani për tani i kemi tri mundësi. Njëra është kërkesa e Aleancës, e cila ka thënë se, me plotësimin e disa kërkesave, mund të japë mbështetje. E dyta janë kërkesat e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Specialen. E treta është LDK-ja, e cila, edhe pse e ndarë, po thotë se për një emër të LDK-së jemi të bashkuar. Pra, të gjitha këto janë një brumë që mund të garantojë se, nëse ka përpjekje për t’u shndërruar në rezultat konkret, mund të nxirret ai rezultat konkret”, ka përfunduar Xani.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, duke përcaktuar edhe afatin brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës.
Gjykata Kushtetuese konstatuar se vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor./teve1.info/
