Një çift, një gjerman dhe një amerikane, është dënuar me tre vite burg në Spanjë pasi mbajtën të izoluar tre fëmijët e tyre të mitur për afro katër vite, nga frika e pandemisë Covid-19.
Ngjarja e rëndë u zbulua në qytetin Oviedo, ku autoritetet gjetën fëmijët që jetonin në kushte të rënda higjienike dhe me probleme serioze fizike e psikologjike.
Sipas mediave britanike, prindërit, Christian dhe Melissa Steffen, i kishin mbyllur fëmijët brenda shtëpisë që nga dhjetori i vitit 2021 deri në prill 2025, me pretendimin se donin t’i mbronin nga virusi.
Kur policia hyri në banesë, gjeti ambiente të ndotura, mbeturina dhe jashtëqitje kafshësh nëpër shtëpi. Hetuesit thanë se fëmijët kishin probleme me shëndetin, vështirësi psikologjike dhe shenja të dukshme neglizhence pas viteve të izolimit.
Sipas prokurorëve, izolimi i gjatë ka shkaktuar pasoja të rënda në zhvillimin fizik dhe emocional të tyre. Në dhomat e fëmijëve u gjetën edhe vizatime shqetësuese me figura përbindëshash dhe simbole të frikshme, që sipas autoriteteve tregojnë gjendjen e tyre të rënduar mendore.
/tiranapost
