Lajme

Prokurorët serbë kërkuan rikthimin, por KPK ua mbylli derën – avokati zbulon arsyen ligjore

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 20 korrik, refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Kurse, gjatë ditës së djeshme, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në lidhje me këtë vendim, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili u shpreh se vendimi i KPK-së për dorëheqjet e prokurorëve serbë është marrë në bazë të parimeve të së drejtës.

Image
Gazmend Halilaj,

Sa i përket aspektit juridik, ai tha se akti i dorëheqjes së vullnetshme ka pasoja të qarta ligjore.

“Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës për të refuzuar kërkesën e pesë prokurorëve dhe 15 punonjësve administrativë për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022 duhet të analizohet mbi bazën e parimeve të së drejtës dhe funksionimit të institucioneve, e jo përmes prizmit politik.

Nga këndvështrimi juridik, dorëheqja është një akt i vullnetshëm me pasoja të qarta ligjore. Pasi ajo është pranuar dhe ka prodhuar efektet e saj juridike, kthimi në të njëjtin status nuk është një e drejtë automatike, por varet nga dispozitat ligjore në fuqi dhe nga vlerësimi i organit kompetent”.

Gjithashtu, Halilaj komentoi motivet politike të këtyre dorëheqjeve, duke theksuar se ato sjellin pasoja ligjore, pasi duhet të respektohen ligjet e shtetit.

Ai tregoi se si zhvillohet procedura në rast se të njëjtit dëshirojnë të kthehen në këto pozita.

“Institucionet e drejtësisë ndërtohen mbi parimet e sigurisë juridike, pavarësisë institucionale dhe vazhdimësisë së funksionimit. Lejimi i tërheqjes së dorëheqjeve, vite pas paraqitjes së tyre dhe pasi ato kanë prodhuar pasoja juridike e institucionale, do të mund të krijonte pasiguri juridike dhe një precedent që do të cenonte stabilitetin e administrimit të drejtësisë.

Po ashtu, përgjegjësia institucionale është një element thelbësor i ushtrimit të funksioneve publike. Çdo vendim për t’u larguar nga detyra, pavarësisht motiveve që e kanë shoqëruar, sjell pasoja juridike të cilat duhet të respektohen në përputhje me ligjin. Nëse këta persona synojnë të rikthehen në sistemin e drejtësisë, kjo duhet të realizohet përmes procedurave të rregullta të rekrutimit dhe emërimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimin e barazisë para ligjit”.

Në fund, ai shtoi se vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës është në funksion të mbrojtjes së rendit juridik.

“Për rrjedhojë, duke u mbështetur në parimet e sigurisë juridike, përgjegjësisë institucionale dhe ruajtjes së integritetit të sistemit të drejtësisë, vlerësoj se vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës është në funksion të mbrojtjes së rendit juridik dhe stabilitetit institucional”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme