Partitë opozitare janë joefektive. Pos kësaj, ato, sipas kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, janë të interesuara vetëm për ndarjen e pushtetit me Albin Kurtin dhe Vetëvendosje.
Ish pjesëtari i kësaj të fundit, më të cilën ndau rrugët në vitin 2017, thotë se PDK, LDK dhe AAK nuk janë opozitë e vërtetë në Kosovë dhe se hyrja e partisë së tij – PSD-së, në zgjedhjet e 7 qershorit është e vetmja alternativë për të krijuar një zë kritik dhe real në Kuvendin e Kosovës.
Molliqaj, në intervistën zgjedhore për KosovaPress, thotë se gjashtë deputetët e ardhshëm të PSD-së do të ishin sa katërdhjetë të tjerë të ish-opozitës.
Duke shpalosur strategjinë e partisë së tij, Molliqaj bëri të ditur se PSD do të garojë me një listë minimale prej vetëm gjashtë kandidatësh, aq sa duhen për të formuar një grup parlamentar. Qëllimi, sipas tij, nuk është fitorja e një numri të madh të ulëseve, por krijimi i një opozite parimore dhe efektive.
Ai paralajmëron se, në rast se hyjnë në Kuvend, deputetët eventualë të PSD-së do të ndërmarrin aksione dhe protesta edhe brenda Kuvendit, kur të ketë nevojë, pasi sipas tij, nuk mund të qëndrojnë indiferencë në sallë dhe të lejojnë kapjen e institucioneve të rëndësishme nga partia në pushtet.
“Gara jonë është me gjashtë veta, aq sa është minimumi për Kuvendin e Kosovës, pra për të pasur një grup parlamentar, sepse realisht ne besojmë që gjashtë kandidatët tanë… Ne besojmë që Kuvendit, me një grup parlamentar siç ne e kemi prezantuar, njerëzit që janë pjesë e këtij grupi do të ishin sa 40 të tjerë të opozitës. Pra, afërsisht sa e ka pasur opozita në këto dy mandate të Kurtit, kushtimisht me thënë. Prandaj, simbolikisht po duam me thënë që gjashtë tanët, për shkak të karakteristikave që i kemi dhe bindjeve që i kemi, do të prodhojnë opozitë sa 40 të tjerë. E dyta, ne nuk jemi, ndonëse jemi shumë idealistë dhe kemi shumë aktivitet, iracionalë. Pra, ne e kuptojmë që nuk jemi në garë për me i fituar 20 deputetë ose 30, apo me qenë në qeveri”, thotë ai.
Molliqaj që së fundmi ka bërë një parafushatë të ashpër ndaj opozitës së deritashme, është veçanërisht kritik ndaj bashkimit të fundit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar kthimin e kësaj të fundit në LDK si një veprim të tipit “kali i Trojës”.
Ai e sheh këtë si një marrëveshje personale mes Osmanit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të siguruar mbijetesën e tyre personale në politikë.
“Nëse ka diçka që i ndihmon pushtetit, është pikërisht qasja e Vjosës dhe Lumirit. Domethënë, krejt akuza e opozitës ishte që Albini po do president partiak. Dhe ne i thamë që mos u ngutni, se do t’i qesë edhe të pavarur. Pa informatë, por ishte e qartë, se e njoh logjikën e tij dhe të pushtetit të tij. Edhe këta u ngutën. Ai i ndërroi, siç e dini, kandidatët në natën e fundit dhe e rrëzoi argumentin. Çfarë bën LDK-ja dhe Vjosa? Ose më mirë Lumiri dhe Vjosa, se është keq me përfshirë LDK-në. Këta dalin me kandidatë partiakë tash. Pra, e rrëzojnë argumentin e vet. Në fakt, këta po duan… Për mua gjasat janë zero. Por populli i Kosovës e vendos. Po çështja është: qysh mundesh, pasi që e ke ndarë dhe e ke shkatërruar partinë, me u rikthye, e po rikthehesh jo në parti, por veç në listë, e madje bartëse e listës, edhe në të njëjtën kohë ti prapë po garon për presidente? Pra, është bashkim i dy njerëzve për dy pozita, për me negociuar me pushtetin e ardhshëm. Nuk janë të interesuar as për opozitë, as për me fituar, as për kurrgjë”, shton Molliqaj.
Molliqaj adreson akuza edhe karshi PDK-së, e cila sipas tij është kapur nga “klika e Uran Ismailit”. Ai thotë se Uran Ismaili po bëhet gati për ta udhëhequr PDK-në pas zgjedhjeve të 7 qershorit, andaj edhe u refuzua Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt që të garojë në zgjedhje, nën ombrellën e PDK-së.
“Klika e Uranit në PDK, e cila e ka marrë peng Partinë Demokratike, vendimin që dje kinse, ose gjatë kësaj jave, u mor për refuzimin e Limajt, në fakt një javë më herët e ka thënë publikisht Uran Ismaili… Urani dhe grupi i tij po bëhen gati me e marrë edhe formalisht Partinë Demokratike pas zgjedhjeve dhe nuk duan asnjë eksponent i cili rrezikon çfarëdo balancimi të votës së brendshme në parti. Këta e duan pushtetin, siç e duan edhe në Prishtinë, ku prej pesë vjetësh e kanë ndërmarrjen “Pastrimi”, e bërllogu në kryeqytet është më keq se kurrë”, thekson Molliqaj.
Krahas kësaj, kryetari i PSD-së përjashtoi kategorikisht çdo mundësi koalicioni me partitë në Kuvend pas zgjedhjeve. Megjithatë, ai ofroi një skenar interesant, ku PSD do të ishte e gatshme t’ia ofronte votat një qeverie të udhëhequr nga opozita aktuale vetëm për ta larguar Kurtin nga pushteti, por pa u bërë pjesë e saj dhe duke u pozicionuar menjëherë si opozitë ndaj një qeverie të tillë potenciale.
