Lajme

Protestojnë banorët e Besisë, kërkojnë rrethrrotullim në qendër të fshatit

Filluan të mblidhen në qendër të fshatit.

Banorët e fshatit Besi, të dielën e kishin ditë proteste.

Kërkesë të vetme e kanë ndërtimin e një rrethrrotullimi në rrugën kryesore.

Në fillim të protestës, jo gjithçka shkoi sipas planit.

Vendimi për bllokimin e rrugës, ashtu siç ishte paraparë nisi të vihej në dilemë.

“Protesta është diskutua për me u blloku krejt rruga por paska ndryshu gjatë rrugës, kjo është kon për me u blloku komplet rruga”.

Ky veprim nuk ishte as në agjendën e Policisë së Kosovës, të pranishëm në vendngjarje.

Pas disa minutash diskutimesh, u arrit dakordimi që rruga të bllokohej vetëm për 5 minuta.

Banorët ankohen se pakënaqësitë e tyre nuk po merren parasysh nga institucionet.

“Para zgjedhjeve vijke rrejke me letër që ka me u bo rrethi, ku është Hysen Durmishi sot që nuk është ardh këtu”, u shpreh një banor.

“Pasojat e mos rregullimit të këtij udhëkryqi kanë me qenë katastrofike edhe për qytetarët edhe për bizneset edhe për shkolla, për ambulancën”, tha një tjetër banor.

Si shkak i mungesës së rrethrrotullimit, ata tregojnë se shumë njerëz humbën jetën në aksidente trafiku.

“Unë i kom 83 vjet edhe unë sa e mbaj mend mas pakti 20 vetë janë mbyt në këtë rrugë qetu. Unë edhe vetë nuk jom mirë po s’kam mujt më nejt  brenda e mos me dal me protestu për këtë gjeneratën e re”, tha Nazmi Osmani- banor.

Kryetari i këshillit të fshatit thotë se kanë marrë premtime nga institucionet, por ato nuk janë realizuar.

“Na kanë thonë që do të rishqyrtohet me 23 projekti edhe do ta bëjmë një mundësi dyqysh me ja bo një zgjedhje këtij rrethi, këtu janë dikund përmbi 15 mijë banorë  që duhet më shfrytëzua këta dmth qe janë lokal të ktuhit a atje ku është shku rrethi janë 50 banorë dhe një restaurant se edhe ata banorë kanë me ardh këtu në shtëpi të shëndetit kanë me i pru fëmijën në çerdhe kështu që qendra e Besis, Barileves e Drenoc është këtu”, u shpreh Isa Rexha- kryetar i Këshillit.

Banorët kanë paralajmëruar edhe një protestë për datën 3 maj, e cila sipas tyre mund të mos jetë paqësore.

 

Të Ngjashme