Lajme

Pse goditi stuhia Ballkanin?/ Përplasja e ajrit të ftohtë me të nxehtin ekstrem solli stuhi të forta

Stuhitë e forta që goditën Ballkanin nuk ishin një fenomen i rastësishëm. Meteorologët shpjegojnë se ato u krijuan nga përplasja e një fronti të ftohtë me ajrin shumë të nxehtë dhe të lagësht që kishte mbuluar rajonin prej ditësh.

Stuhitë e fuqishme që përfshinë Ballkanin, duke sjellë erëra shkatërruese, breshër të madh dhe reshje intensive, u shkaktuan nga një kombinim i pazakontë kushtesh atmosferike që krijuan terrenin ideal për zhvillimin e superqelizave dhe sistemeve të organizuara të stuhive.

Sipas meteorologëve të ESTOFEX, pas disa ditësh me temperatura shumë të larta, një luginë e thellë atmosferike zbriti nga veriperëndimi i Evropës, duke shtyrë një front të ftohtë drejt Italisë dhe më pas Ballkanit. Përplasja e këtij fronti me ajrin e nxehtë dhe shumë të lagësht mbi Adriatik dhe Evropën Juglindore krijoi energji të madhe për zhvillimin e stuhive.

Një rol kyç luajti edhe ndryshimi i shpejtësisë dhe drejtimit të erës me lartësinë, fenomen i njohur si “wind shear”. Kjo lejoi formimin e superqelizave – stuhitë më të fuqishme, të afta të prodhojnë breshër shumë të madh, erëra shkatërruese dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.

Meteorologët paralajmëruan se nga Italia drejt Kroacisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, Rumanisë dhe Bullgarisë mund të zhvilloheshin sisteme stuhish jetëgjata, të njohura si “bow echoes”, të cilat janë përgjegjëse për dëmet më të mëdha nga era.

Pikërisht për këtë arsye, ESTOFEX lëshoi paralajmërimin më të lartë, nivelin 3, një njoftim që përdoret vetëm në situata me rrezik shumë të lartë.

Ekspertët theksojnë se valët e të nxehtit nuk e pengojnë domosdoshmërisht motin e keq. Përkundrazi, sa më shumë të nxehet dhe të laget atmosfera, aq më shumë energji grumbullohet. Kur mbërrin një masë ajri më e ftohtë, kjo energji çlirohet në mënyrë të dhunshme, duke prodhuar stuhi shumë intensive, reshje të rrëmbyeshme, breshër dhe erëra me forcë uragani./Top Channel

Të Ngjashme