Kur flitet për një gjumë cilësor, zakonisht dëgjojmë këshilla si shmangia e telefonit para gjumit, mbajtja e dhomës së freskët ose respektimi i një orari të rregullt. Por sipas ekspertëve të psikologjisë së ngjyrave, ekziston një faktor tjetër që shpesh neglizhohet: ngjyra e mureve të dhomës së gjumit.
Michelle Lewis, eksperte e psikologjisë së ngjyrave dhe autore e librit “Color Secrets”, thotë se ngjyrat që na rrethojnë para se të flemë dhe sapo zgjohemi mund të ndikojnë në nivelin e stresit, rrahjet e zemrës dhe aftësinë e trurit për të kaluar nga gjendja e aktivitetit në relaksim.
Ngjyra më qetësuese për dhomën e gjumit
Sipas saj, bluja e zbehtë me nuanca gri është ngjyra më e mirë për një gjumë të qetë dhe një zgjim më të butë.
Ndryshe nga nuancat e forta dhe të ndezura, kjo ngjyrë ndihmon në uljen e ritmit të zemrës dhe krijon një ndjenjë qetësie. Elementi kyç është pikërisht nuanca gri, pasi një blu shumë e fortë mund të ketë efekt stimulues dhe ta mbajë mendjen më aktive.
Ngjyra të tjera që favorizojnë relaksimin
Ekspertja rekomandon edhe disa alternativa të tjera:
Gri e ngrohtë – krijon një ambient të qetë dhe neutral pa u dukur “pa jetë”.
Jeshile salvie (sage green) – lidhet me natyrën dhe është vërtetuar se ndihmon në uljen e stresit.
Blu-jeshile e errët (deep teal) – kombinon efektet qetësuese të blusë dhe jeshiles, duke krijuar një atmosferë relaksuese.
Livando e butë – ndihmon në çlirimin e tensionit dhe krijon një ndjesi rehatie dhe qetësie.
Psikologjia e ngjyrave sugjeron që në dhomën e gjumit të shmangen nuancat shumë të forta dhe energjike, si e kuqja, portokallia e ndezur apo ngjyrat tepër të ndezuea, pasi ato mund të rrisin stimulimin e sistemit nervor dhe ta bëjnë më të vështirë shplodhjen.
Dhoma e gjumit është ambienti i fundit që përjeton sistemi ynë nervor para gjumit dhe i pari që sheh sapo zgjohemi. Për këtë arsye, zgjedhja e ngjyrave të duhura mund të ndikojë më shumë sesa mendojmë në cilësinë e pushimit, humorin dhe energjinë gjatë ditës.
Nëse po mendoni të rifreskoni shtëpinë, ndoshta ndryshimi më i vogël, një ngjyrë e re në mure, mund të jetë ai që ju ndihmon të flini më mirë.
