Një studim i ri zbulon se mërzia gjatë vizitave në muze lidhet me rezultate më të ulëta në të nxënë, kënaqësi të reduktuar dhe një ndjesi më të dobët të vlerës së përvojës.
Imagjinoni të vizitoni një muze, të entuziazmuar për të mësuar diçka të re, por të gjendeni përballë një dhome tjetër të mbushur me informacione për t’u lexuar.
Përpiqeni t’i përthithni të gjitha, por pas njëfarë kohe, informacioni bëhet i tepërt. Përfundimisht, vendosni se ju ka ardhur në majë të hundës dhe largoheni.
Pikërisht kjo i ndodhi një vizitori në Muzeun Sigmund Freud në Vjenë.
“Mërzia sa vinte e shtohej gjatë vizitës sime në muze“, tha vizitori.
“Pas pjesës me audioguidë, ishte një dhomë e madhe me edhe më shumë informacione për t’u lexuar, por gjithçka më dukej dërrmuese. Në atë moment vendosa të largohesha nga muzeu.“
Vizitorë të tjerë patën një përvojë krejtësisht të ndryshme. Në vend që të ndiheshin të mbingarkuar nga informacioni, ata i gjetën disa dhoma tepër të zbrazëta, me mure të zhveshura dhe pak gjëra që mund të tërhiqnin vëmendjen e tyre.
Këto dy përvoja nxjerrin në pah diçka interesante për vizitat në muze: ajo që e mban një person të interesuar mund ta bëjë dikë tjetër të ndihet i mërzitur.
Kur interesi zbehet
Shumica e vizitorëve në dy muzetë e Vjenës raportuan se ndienin pak mërzi.
Megjithatë, ata që ndiheshin më të mërzitur mendonin gjithashtu se kishin marrë më pak vlerë për paratë e shpenzuara. Në muzeun e artit, ata kishin prirjen të merrnin rezultate më të ulëta në një kuiz rreth ekspozitave.
Psikologu i edukimit Thomas Götz nga Universiteti i Vjenës drejtoi studimin. Ekipi i tij anketoi vizitorë të moshës 18 deri në 91 vjeç, nga maji 2023 deri në dhjetor 2024.
Studimi nuk mund të tregojë nëse mërzia i shkaktoi këto dallime.
Kureshtja e tejkaloi mërzinë
Të dy muzetë ndryshojnë si për nga madhësia, ashtu edhe për nga tematika. Muzeu Sigmund Freud zë apartamentin dhe ordinancën ku Frojdi jetoi për 47 vjet.
Ai mbulon rreth 550 metra katrorë. Kur emigroi në Londër, Frojdi mori me vete shumicën e sendeve të tij, përfshirë divanin e tij të famshëm.
Muzeu i Historisë së Artit në Vjenë, Kunsthistorisches Museum, shtrihet në një hapësirë më të madhe se dy fusha futbolli dhe përmban piktura të Bruegelit, Vermeerit dhe Caravaggio-s.
Në muzeun e Frojdit, 968 vizitorë plotësuan një pyetësor, ndërsa në muzeun e artit e bënë këtë 261 vizitorë. Secili vlerësoi ndjenjat e veta nga 1, që do të thotë “aspak“, deri në 5, që do të thotë “shumë e fortë“.
Mesatarja e mërzisë ishte 1,69 në muzeun e Frojdit dhe 1,81 në muzeun e artit, ndërsa kureshtja shënoi mbi 4 në të dyja muzetë. Vizitorët ndiheshin shumë më kureshtarë sesa të mërzitur.
Megjithatë, mes shtatë ndjenjave të pakëndshme, mërzia renditej e treta në muzeun e Frojdit dhe e dyta në muzeun e artit.
Të dyja skajet lidhen me mërzinë
Pjesa më e madhe e kërkimeve mbi mërzinë gjatë të nxënit është përqendruar te klasat dhe sallat e leksioneve, ndërsa të nxënit jashtë shkollës ka marrë shumë më pak vëmendje.
Ekipi e ndërtoi këtë studim mbi teorinë e kontrollit dhe vlerës, një ide e zhvilluar nga bashkautori Reinhard Pekrun i Universitetit të Essex-it.
Sipas kësaj teorie, njerëzit mërziten kur një aktivitet u duket tepër i vështirë ose tepër i lehtë dhe nuk u duket veçanërisht i vlefshëm.
Sipas këtij arsyetimi, muzetë rrallë duhet të jenë të mërzitshëm, pasi njerëzit zakonisht i vizitojnë nga interesi dhe mund ta përshtatin vetë mënyrën se si e zhvillojnë vizitën.
Pse vizitorët humbasin interesin
Për të testuar këtë ide, ekipi i pyeti vizitorët nëse vizita kishte qenë “tepër sfiduese për mua“ dhe nëse kishte qenë „jo mjaftueshëm sfiduese për mua“.
Vizitorët që pajtoheshin më shumë me njërën ose tjetrën deklaratë raportuan gjithashtu më shumë mërzi.
Lidhja ishte më e fortë te ndjenja se nuk sfidoheshin mjaftueshëm sesa te ndjenja e mbingarkesës.
Studiuesit propozuan një arsye të mundshme: një vizitor që ndihet i mbingarkuar mund të ndiejë gjithashtu zhgënjim ose zemërim, dhe këto ndjenja mund të fshehin një pjesë të lidhjes me mërzinë.
Vizitorët që thanë se vizita kishte rëndësi personale për ta, ndiheshin më pak të mërzitur. E njëjta gjë vlente edhe për ata që i konsideronin vizitat në muze të rëndësishme në përgjithësi.
Vizitorët përmendën probleme konkrete
Ekipi intervistoi edhe 72 vizitorë të tjerë të muzeut të Frojdit, në një tavolinë të veçantë në kafene, zakonisht për rreth 10 minuta.
Vizitorët që ndiheshin të mbingarkuar u ankuan për mungesën e një itinerari të qartë, sasinë e tepërt të informacionit, tekstet e gjata, turmat dhe nxehtësinë.
Tetë përgjigje përmendën vështirësi personale, siç ishin pengesat gjuhësore.
“Ajo që më mbingarkoi vërtet ishte thjesht sasia e jashtëzakonshme e informacionit që kishin“, tha një vizitor.
Vizitorët që nuk ndiheshin mjaftueshëm të sfiduar përmendën pesë herë secilin dizajnin e bardhë dhe të zhveshur, si dhe hapësirat boshe, ndërsa videot u përmendën katër herë.
“Muret dukeshin paksa të zhveshura, gjë që më la disi të pakënaqur“, tha një tjetër vizitor.
Interesi për psikologjinë ose Frojdin e bëri vizitën domethënëse në 15 përgjigje. Shtatë përgjigje treguan se vizita nuk kishte ndonjë vlerë personale.
“Jo dhe aq“, tha një vizitor. “Ishte thjesht një rekomandim.“
Vizitorët e mërzitur morën rezultate më të ulëta
Në muzeun e artit, pyetësori përfundonte me një kuiz me 10 pyetje me alternativa, lidhur me atë që ekspozohej.
Një pyetje kërkonte të përcaktohej se cili detaj në pikturën „Kulla e Babelit“ tregonte se ndërtesa nuk ishte përfunduar kurrë. Përgjigjja e saktë ishte se katet e saj kishin mbetur të papërfunduara.
Mesatarisht, vizitorët iu përgjigjën saktë rreth katër nga 10 pyetjet. Ata që raportuan më shumë mërzi kishin prirjen të merrnin rezultate më të ulëta.
Një rezultat më i ulët mund të nënkuptojë thjesht se një vizitor i mërzitur kishte më pak njohuri që në fillim. Prandaj, ekipi i kërkoi gjithashtu secilit person të vlerësonte se sa shumë dinte paraprakisht për përmbajtjen e muzeut.
Lidhja mes mërzisë dhe rezultateve më të ulëta ishte e dobët, por mbeti e pranishme edhe pasi ekipi mori parasysh njohuritë paraprake të vizitorëve.
Të dy pyetësorët përfshinin gjithashtu një pyetje nëse çmimi i hyrjes ishte tepër i lartë, tepër i ulët apo afërsisht i përshtatshëm. Kjo është një mënyrë e zakonshme për të vlerësuar se sa vlerë mendojnë njerëzit se kanë marrë.
Vizitorët që ndiheshin më të mërzitur kishin prirjen ta vlerësonin biletën si më pak të leverdishme për paratë e shpenzuara.
A mund ta zvogëlojnë muzetë mërzinë?
Götz i përshkroi muzetë si vende kyçe për të nxënit jashtë shkollave dhe universiteteve.
“Gjetjet tona tregojnë se mërzia luan gjithashtu një rol që më parë është nënvlerësuar në këtë fushë dhe kështu bëhen pjesë e një numri gjithnjë e më të madh provash që tregojnë se mërzia dëmton të nxënit dhe performancën në një gamë të gjerë fushash të jetës“, tha Götz.
Studiuesit propozuan gjithashtu mundësinë e një cikli të përsëritur. Vizitorët e mërzitur mund të përfitojnë më pak nga një vizitë, ta vlerësojnë më pak vizitën e radhës dhe të mërziten sërish.
Ajo që një vizitori i duket e tepërt, një tjetri mund t’i duket e pamjaftueshme, sepse njerëzit mbërrijnë me interesa dhe njohuri paraprake shumë të ndryshme. Sugjerimet e Götz-it përqendrohen te mundësia që secili vizitor të bëjë zgjedhjet e veta.
“Për të zvogëluar mërzinë në muze, muzetë mund t’u përshtaten më mirë nevojave të ndryshme të vizitorëve të tyre“, tha Götz. “Kjo mund të arrihet duke ofruar nivele të ndryshme thellësie të informacionit dhe përmbajtjes, të përshtatura sipas individit.“
“Për shembull, përmes kodeve me barkod ose aplikacioneve të realitetit të shtuar, apo përmes tureve me nivele të ndryshme vështirësie dhe përmbajtjeje duke filluar nga një ‘tur i shkurtër xhepi’ deri te një ‘eksplorim i thelluar’.“
Ai shtoi se zvogëlimi i mërzisë duhet të peshohet gjithmonë kundrejt qëllimit të muzeve dhe se ato nuk duhet të shndërrohen në vende që ekzistojnë vetëm për të argëtuar.
Ekipi bëri gjithashtu dallimin mes mërzisë dhe reflektimit të qetë. Mërzia është e pakëndshme, e bën kohën të duket sikur kalon ngadalë dhe i shtyn njerëzit të dëshirojnë të largohen, ndërsa përsiatja e qetë është e këndshme dhe i bën njerëzit të dëshirojnë të qëndrojnë.
Sipas studiuesve, dhomat e qeta për reflektim nuk bien ndesh me synimin për të zvogëluar mërzinë.
Pse nevojiten më shumë kërkime
Secili vizitor e vlerësoi ose e përshkroi mërzinë vetëm një herë, gjatë largimit nga muzeu, ndaj studimi nuk mund të tregojë se si ndryshonte kjo ndjenjë nga njëra dhomë në tjetrën.
Studiuesit sugjeruan që vizitorëve t’u kërkohet të japin vlerësime përmes një aplikacioni në telefon gjatë vizitës, ose të maten shenjat fizike të energjisë së ulët.
Grupet shkollore nuk u përfshinë në studim. Gjatë një vizite të detyrueshme, shkruan studiuesit, nxënësit mund t’i japin më pak vlerë vizitës dhe të mërziten shumë më tepër.
Gjithashtu, shumica e vizitorëve të muzeut të Frojdit ka të ngjarë të mbërrijnë tashmë të interesuar për Frojdin dhe psikanalizën, ndryshe nga vizitorët e një muzeu të përgjithshëm.
Edhe kuizi ka kufizimet e veta. Shumë vizitorë nuk e shohin të gjithë ekspozitën, kështu që një përgjigje e gabuar mund të nënkuptojë se dikush nuk ka arritur fare te ajo pikturë, dhe jo se nuk ka arritur të mësojë prej saj.
Meqenëse studimi përfshiu vetëm dy muze në një qytet, autorët shkruan se rezultatet nuk duhet të përgjithësohen për muzetë e historisë natyrore, të dizajnit apo për lloje të tjera muzeesh.
Mbetet ende pa përgjigje pyetja nëse bërja e një vizite më të lehtë ose më të vështirë ndryshon nivelin e mërzisë së vizitorëve.
Një mënyrë për ta zbuluar këtë, sugjeroi ekipi, do të ishte krijimi i një muzeu virtual dhe përshtatja e disa pjesëve të tij për të qenë pak a shumë sfiduese./Earth.com
