Roskoveci mirëpriti përfaqësues të autoriteteve vendore dhe rajonale nga vendet e Bashkimit Evropian dhe rajoni i Mesdheut, në kuadër të vizitës së tyre pas sesionit të 17-të të Asamblesë Rajonale dhe Vendore Euro-Mesdhetare (ARLEM), të zhvilluar në Tiranë. Takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e partneriteteve të reja.
Kryetarë bashkish e rajonesh, anëtarë të këshillave bashkiakë nga Brukseli, Franca, Spanja, Italia, Jordania, Maroku dhe Mauritania, si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane, rrjeteve të qyteteve dhe organizatave partnere, u mblodhën në Bashkinë Roskovec, ku diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe ndanë përvojat e tyre në nivel vendor e rajonal.
Vizita vijoi përtej mjediseve të bashkisë, ku kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, u prezantoi të ftuarve vlerat dhe potencialet e qytetit, bukuritë natyrore të zonës dhe traditat e mikpritjes shqiptare. Të ftuarit patën gjithashtu mundësinë të shijonin produkte vendase, duke u njohur më nga afër me kulturën dhe pasurinë gastronomike të zonës. Një vizitë që ndërthuri bashkëpunimin institucional me promovimin e identitetit, traditave dhe potencialeve të Roskovecit.
Politikat për të rinjtë
Politikat konkrete për punësimin dhe mbështetjen e të rinjve, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe rritja e rolit të autoriteteve vendore në zbatimin e Paktit të BE-së për Mesdheun ishin në fokus të seancës së 17-të plenare të Asamblesë Rajonale dhe Vendore Euro-Mesdhetare (ARLEM), e zhvilluar për herë të parë në Tiranë. Përfaqësues të autoriteteve vendore dhe rajonale nga Bashkimi Evropian dhe vendet partnere mesdhetare diskutuan mbi sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për zhvillimin e politikave që krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, duke synuar punësimin, sipërmarrjen dhe krijimin e kushteve për të ndërtuar të ardhmen në vendet e tyre.
Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, theksoi rëndësinë e angazhimit të institucioneve vendore dhe qendrore në hartimin e politikave konkrete për të rinjtë, duke nënvizuar se bashkëpunimi dhe nismat e përshtatura me nevojat e komuniteteve mund të kontribuojnë në frenimin e emigracionit. Ajo bëri të ditur se mbështetja e të rinjve do të jetë një nga temat kryesore të punës së ARLEM-it në mandatin e ardhshëm, me fokus te nismat që forcojnë demokracinë vendore dhe krijojnë mundësi reale për zhvillimin e tyre.
“Nëse çdo vend, çdo bashki, institucion vendor apo dhe qendror, i qëndron fort këtij kriteri të rëndësishëm të Paktit të Mesdheut për të punuar sa më mirë, sa më ngushtë dhe për të krijuar politika reale për të rinjtë, për t’i mbështetur ata, unë jam shumë e bindur që ne do të kemi një ulje të fluksit dhe të ritmeve të emigrimit të të rinjve jashtë vendeve dhe padyshim edhe të këtij fenomeni në Shqipëri”, theksoi ajo.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, vuri në dukje se sfidat e sotme, përfshirë tranzicionin e gjelbër dhe digjital, sigurinë energjetike, menaxhimin e ujërave, konkurrueshmërinë ekonomike dhe ndryshimet demografike, kërkojnë bashkëpunim përtej kufijve kombëtarë.
“Europa, ndërkohë që përballet sot, si sfida të përbashkëta, zhvillimin e gjelbër dhe digjital, sigurinë energjetike, menaxhimin e ujërave, konkurrueshmërinë ekonomike, ndryshimet demografike dhe transformimin teknologjik, pa harruar këtu edhe trazirat sociale në disa nga kryeqytetet dhe qytetet tona. Asnjë nga këto sfida nuk ndalet në kufi. Ne po punojmë në ndërtimin e ndërlidhjeve që forcojnë autonominë dhe qëndrueshmërinë strategjike të Evropës: punën në energji të rinovueshme, infrastrukturën e transportit, logjistikën apo dhe lidhjet digjitale”, u shpreh Fino.
Ndërsa Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve të bashkive shqiptare, veçanërisht në kushtet e reformave administrative dhe territoriale. Ajo nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe zgjerimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe aktorët e tjerë në rajonin e Mesdheut.
Pakti i Mesdheut
Gjatë seancës plenare, ARLEM prezantoi raportin “Zbatimi i Paktit për Mesdheun me autoritetet vendore dhe rajonale”, duke kërkuar që këto autoritete të kenë një rol qendror në zbatimin e nismave dhe politikave të Paktit. Në një videomesazh të posaçëm, Komisionerja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Šuica, vlerësoi kontributin e autoriteteve vendore dhe rajonale, të cilat, falë njohjes së drejtpërdrejtë të nevojave të komuniteteve, mund të ndihmojnë në identifikimin e sfidave dhe përshtatjen e politikave me realitetet lokale.
Në këtë kuadër, u prezantuan edhe projekte konkrete të bashkëpunimit euro-mesdhetar në fusha si mbështetja e të rinjve dhe barazia gjinore, tranzicioni i gjelbër dhe mbrojtja civile. Këto nisma mund të shërbejnë si modele për planet e ardhshme të veprimit të Paktit, përmes zgjerimit, përsëritjes së praktikave të suksesshme dhe përfshirjes së partnerëve të rinj. Seanca plenare e mbajtur në Tiranë u përmbyll me ndarjen e Çmimit ARLEM 2026 për Sipërmarrjen e Re Vendore në Mesdhe, i cili iu akordua Nada Ghammem, themeluese e kompanisë tuniziane të teknologjisë mjekësore Bionic Soul, si dhe institucionit që mbështeti nismën e saj, Caisse des dépôts et consignations de Tunisie.
“Ne duam t’u japim shpresë 65 milionë personave me gjymtyrë të amputuara në mbarë botën. Çdo 30 sekonda, dikush humbet një gjymtyrë të poshtme, por shumica dërrmuese ende nuk mund të sigurojë proteza me çmime të përballueshme në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe pjesën tjetër të Afrikës. Synimi ynë është të prodhojmë proteza më inteligjente dhe më të përballueshme, duke krijuar njëkohësisht vende pune në Tunizi dhe ekspertizë në të gjithë rajonin. Ndikimi social dhe mundësitë ekonomike mund të ecin krah për krah”, u shpreh Nada Ghammem ne një videomesazh.
Përmes kësaj seance, ARLEM riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit mes autoriteteve vendore dhe rajonale, institucioneve evropiane dhe vendeve partnere mesdhetare, me synimin për të kthyer prioritetet e përbashkëta në politika dhe projekte konkrete në shërbim të qytetarëve.

