Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë po vazhdojnë grevën për shkak të vonesave në pagesa, problem që, sipas tyre, po zgjat prej tre vjetësh. Ata thonë se nuk do ta ndërpresin grevën pa u realizuar pagat.
Problemi i vonesës së pagave për punën e kryer po zgjat prej tre vjetësh, ndërsa punëtorët thonë se kanë humbur durimin. Kryepunëtori teknik në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë, Ilmi Buzuku, thotë se grevën e shohin si të vetmen mënyrë për ta detyruar punëdhënësin të reflektojë dhe t’i përmbushë obligimet ndaj tyre.
“Bëhen dy muaj që nuk i kemi marrë pagat. Kompania ia lë fajin Komunës, ndërsa Komuna nuk po i lëshon paratë. Jemi në grevë dhe nuk kemi ndërmend të punojmë derisa të realizohen pagat. Tualetet duhet t’i pastrojmë, pavarësisht nëse jemi në grevë apo jo. Ato mund t’i kryejmë, por punët e tjera nëpër klasa jo”, tha Buzuku.
Ndërkohë, drejtoresha e kësaj shkolle thotë se mirëmbajtja e higjienës është përgjegjësi e operatorit ekonomik, duke theksuar se punëtorët kanë të drejtë ta shprehin pakënaqësinë e tyre.
“Fatmirësisht, këtë herë është një përparësi që, edhe pse janë në grevë, ata duhet të kenë një obligim t’i mbajnë nyjet sanitare të pastra. Kjo ishte një përparësi që më pëlqeu, sepse institucionet në baza ditore frekuentohen, së paku te ne, nga rreth 1.000 persona”, theksoi Suphije Zhitia, drejtoreshë e shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë.
Buzuku përsërit se për t’i arritur të drejtat e tyre, alternativa e vetme e mbetur është greva.
“Ne kemi me vazhdu deri me realizimin e kërkesave tona, se kërkush s’punon pa pagë. Jena në kredi, atje bëhet dyfish krediti, pagesa”, shtoi ai.
Në këtë situatë, stafi i shkollës është në pritje të një zgjidhjeje për problemin e krijuar.
“Do t’ua lëmë në dispozicion kohën. Thjesht, këto palë le ta shprehin pakënaqësinë e vet, nëse po qëndron. Palët e tjera le të shohin ku qëndron problemi dhe sigurisht që të dyja palët e kanë parasysh që koha është faktori më i rëndësishëm”, tha drejtoresha e shkollës.
Punëtorët grevistë janë të vendosur të mos e ndërpresin grevën deri në përmbushjen e kërkesave për realizimin e pagave.
