Profesori i së drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka ngritur çështjen e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke pretenduar se kjo gjykatë është dashur ta përfundonte veprimtarinë e saj në vitin 2020.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Kryeziu ka folur për bazën ligjore të funksionimit të Speciales, mundësinë e shfuqizimit të ligjeve përmes referendumit dhe raportin e këtij institucioni me Kushtetutën e Kosovës.
Duke komentuar mundësinë e ndryshimeve ligjore, ai ka përmendur ekzistencën e mekanizmave kushtetues dhe ligjorë për ndryshimin e Kushtetutës dhe shfuqizimin e ligjeve.
“Ekziston ligji për referendumin. Kemi referendum konsultativ dhe kushtetues, ndërsa referendumi kushtetues ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës. Ekziston edhe mundësia që ligjet të shfuqizohen përmes referendumit”, ka deklaruar Kryeziu.
Gjatë diskutimit, profesori i së drejtës kushtetuese ka vlerësuar se Ligji për Dhomat e Specializuara është hartuar mirë, por ka kundërshtuar vazhdimin e veprimtarisë së gjykatës përtej periudhës pesëvjeçare, të cilën ai e lidh me mandatin fillestar të saj.
“Ligji për Specialen u hartua mirë, si nga miqtë tanë ndërkombëtarë, ashtu edhe nga përfaqësuesit tanë. Është ligj shumë i mirë dhe ka goditur atë që duhet goditur. Nuk bie ndesh me nenin 162 të Kushtetutës, sepse aty thuhet se mandati i Gjykatës Speciale është pesë vjet”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka shtuar se, sipas interpretimit të tij, institucionet është dashur ta ndërpresin veprimtarinë e gjykatës pas përfundimit të periudhës fillestare.
“Ka pasur mandat vetëm pesë vjet dhe është dashur të përfundonte. Mandati i ka kaluar kësaj gjykate dhe, sipas mendimit tim, ajo tashmë është pa mandat”, është shprehur ai.
Kryeziu ka ngritur gjithashtu shqetësime për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të të pandehurve në proceset që zhvillohen në Hagë.
Ai ka pretenduar se disa procedura të zhvilluara në kuadër të Speciales janë në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe garancitë për një proces të drejtë.
“Mos ta harrojmë se procedurat që kanë ndodhur gjatë procesit në gjykatë janë antikushtetuese, sepse janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të të pandehurve”, ka deklaruar Kryeziu.
Deklaratat e profesorit të së drejtës kushtetuese u bënë në kuadër të diskutimit për bazën ligjore të funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe mundësinë e ndryshimeve në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.
