Përshkallëzimi i protestës në Tiranë, ku disa institucione përgjatë bulevardit janë përfshirë nga flakët, ka sjellë reagime të shumta.
Për situatën në kryeqytet ka reaguar sërish Albana Koçiu, e cila ka paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë dhuna dhe kaosi, duke kujtuar kostot që Shqipëria ka paguar në të kaluarën nga ngjarje të tilla.
Në reagimin e saj, zv. kryeministrja thekson se protestat duhet të zhvillohen pa dhunë dhe se institucionet, bizneset dhe hapësirat publike nuk duhet të bëhen objekt sulmesh. Ajo u bën thirrje qytetarëve për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi në këto momente të tensionuara.
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot. Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi. Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari. Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, shkruan Albana Koçiu.
