Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se punëtorët teknikë të sektorit privat në shkollat e Komunës së Prishtinës po hyjnë në ditën e dytë të grevës, për shkak të mospagesës së një pjese të rrogës së muajit korrik dhe pagës së muajit gusht.
Azemi në një konferencë për media tha se sot ka zhvilluar takim me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Arjanit Elshanin, dhe zyrtarin e Komunës së Prishtinës, Arben Gashin, por sipas tij, takimi nuk ka sjellë zgjidhje për problemin e pagave.
“Sot është dita e dytë e punëtorëve teknikë të sektorit privat të komunës së Prishtinës, përkatësisht të cilët janë në grevë. Ne sot patëm një takim me Arjanit Elshanin, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, dhe Arben Gashin, zyrtar i Komunës së Prishtinës. Këta punëtorë kanë hyrë në grevë për shkak të mospagesës të një pjese të pagës për muajin korrik dhe pagën e muajit gusht. E që nënkupton që këta punëtorë në këto momente janë që 45 ditë pa pagat e tyre”, ka thënë ai, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i sindikatës tha se nga takimi me zyrtarët komunalë kishte pritur më shumë dhe se sindikata kishte ofruar një opsion për pagesën e ditëve të punës për muajin korrik, por se kjo marrëveshje është tërhequr.
