Lajme

​Punëtorët teknikë vazhdojnë grevën, Azemi: Komuna ofroi pagë 450 euro bruto, e refuzuam

Punëtorët teknikë në shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës do ta vazhdojnë grevën deri në shlyerjen e të gjitha obligimeve financiare ndaj tyre, ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një konferencë për media.

Ai tha se kanë pasur një takim me Drejtorin e Arsimit, Arianit Elshanin, për të cilin tha se nga Komuna kishin ofruar pagesë prej 425 euro bruto, por sindikata e kishte refuzuar ofertën sepse sipas tij kjo nuk është paga e tyre e plotë sipas kontratës dhe bie në kundërshtim me pagën minimale sipas ligjit në fuqi.

“Ne sot patëm një takim me Arjanit Elshanin, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, dhe Arben Gashin, zyrtar i Komunës së Prishtinës… Ne kemi pritë më shumë nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe në njëfarë forme kemi pritë, po themi, ndoshta me një shpresë se do dalim nga kjo bllokadë…. Sot na është ofruar një opsion që për muajin gusht të na ofrojnë pagën prej 391 euro ose 425 euro bruto, pasi që nuk qenka amendamentuar paga minimale, sepse kontraktuesit kur kanë nënshkruar kontratat, kanë nënshkruar me 425 euro. Dhe tani drejtoria thotë se duhet t’i delegojë, t’i përcjellë ato para, por ne i kemi thënë se nuk keni nevojë asnjë cent me derdhë, për derisa nuk i derdhni të gjitha obligimet që i keni ndaj këtyre punëtorëve. Ne paratë se na i qitni në llogari, ne duhet me i marrë, do t’i marrim patjetër, por zgjidhje nuk ka. Ne nga greva mund të dalim vetëm kur të gjitha obligimet që i ka Komuna e Prishtinës karshi këtyre punëtorëve, mund të dalim nga greva”, tha ai.

Ndërkaq paga e këtyre punëtorëve në kontrata është sipas pagës minimale 500 euro bruto.

Azemi kritikoi zyrtarët komunalë për, siç tha, neglizhimin e paralajmërimeve të sindikatës për grevë dhe theksoi se punëtorët kishin paralajmëruar për më shumë se një muaj se mund të vijë deri te kjo situatë.

“Kjo po ndodh në mungesë të mjeteve, në mungesë të realitetit. Kjo po ndodh për shkak se zyrtarët e Komunës së Prishtinës, përkundër asaj që ne më shumë se një muaj i kemi paralajmëruar se mund të vijë deri te kjo bllokadë, ata nuk e kanë parë të arsyeshme që të merren me këtë problematikë. Bile, bile sot shumë zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se nuk e dinë që janë punëtorët në grevë. Dhe shumë e rëndë që pagat tona nuk janë që 45 ditë, por njerëzit zyrtarë, të cilët do duhej ta kryenin punën e pagave të këtyre punëtorëve, nuk qenkan në dijeni lidhur me grevën”, tha ai.

Ai kërkoi mirëkuptim nga qytetarët dhe nxënësit, por tha se përgjegjësia për situatën bie mbi institucionet që, sipas tij, nuk i kanë kryer obligimet ndaj punëtorëve.

Azemi tha se për momentin nuk planifikojnë masa më radikale, por nuk e përjashtoi këtë mundësi nëse obligimet financiare nuk përmbushen.

“Për momentin mendojmë që vetëm me grevë, por ndoshta nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe mjete më radikale për të cilat mendoj se nuk do të vijnë deri te ajo sepse nuk kanë çare, po e me këtë mënyrë shumë më shkurt, nuk kanë çare pa lëvizur se në fund të fundit njerëzit nuk kanë shëndet të fëmijëve me shkuar me i sëmurë nëpër shkolla për tek edhe për qefe të njerëzve që janë të paguar majshëm për detyrat e tyre”, tha ai.

Ndërkaq këta punëtorë tenikë kanë nisur grevën nga 1 shtatori.

Kjo sepse punëtorët e shkollave të mesme të larta nuk janë paguar për muajt korrik dhe gusht, ndërsa punëtorët e shkollave fillore janë në pritje të pagës së gushtit dhe të 11 ditëve të muajit korrik.

KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndirm nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës në lidhje me këtë çështje e deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Të Ngjashme