Një 27-vjeçar është arrestuar në Mamurras pas një ndjekjeje nga policia, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.
Në pranga u vu shtetasi E. Xh., 27 vjeç, banues në Mamurras, i cili teksa qarkullonte me mjetin e tij nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke përplasur automjetin e shërbimeve të Policisë dhe duke rrezikuar punonjësit.
Gjatë largimit, 27-vjeçari dyshohet se ka hedhur armën e zjarrit që mbante me vete. Pas disa minutash ndjekjeje, efektivët kanë mundur ta lokalizojnë dhe ta arrestojnë në lagjen “Zef Hoti”, në Mamurras.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjeti i përdorur nga 27-vjeçari dhe një palë targa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
