Këshilli i Ministrave ka hartuar një vendim të ri dhe gjithëpërfshirës që vendos rregulla strikte për kontrollin, mbikëqyrjen dhe inspektimin e çdo subjekti të licencuar për kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale në Shqipëri.
Vendimi, i cili vjen në zbatim të ligjit nr.61/2023, synon të garantojë sigurinë publike dhe shëndetin publik, duke ngritur një sistem gjurmueshmërie hermetik për çdo lëvizje të kësaj bime, që nga importi i farës e deri tek eksporti i produktit përfundimtar.
Mbikëqyrje e kombinuar, agjentë në terren dhe satelitë në hapësirë
Për të shmangur çdo devijim të mundshëm të produktit drejt tregut të zi, qeveria ka autorizuar Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it që të përdorë teknologjinë e fjalës së fundit. Nuk do të mjaftojnë vetëm inspektimet fizike, por kompanitë do të jenë nën “lupën” e autoriteteve 24 orë në 24.
Sipas nenit 28 të vendimit, qeveria saktëson mjetet e teknologjisë së lartë që do të përdoren për monitorim.
“Mbikëqyrja, kontrolli dhe inspektimi në distancë realizohen nëpërmjet sistemeve të monitorimit vizual (CCTV) mjeteve ajrore pa pilot, platformave satelitore, sensorëve dhe platformave digjitale.”, thuhet në vendim.
Ky vëzhgim i pandërprerë do të zbatohet në çdo ambient ku zhvillohet aktiviteti, duke u dhënë autoriteteve akses në kohë reale në sistemet e alarmit dhe telemetrisë së kompanive.
Gjurmueshmëri e plotë, asnjë lëvizje jashtë sistemit
Një nga shtyllat kryesore të këtij vendimi është Regjistri dhe Sistemi Kombëtar i Gjurmueshmërisë. Çdo bimë, lot, apo nënprodukt do të ketë një identitet të qartë dhe të shënjuar. Dokumenti e bën të qartë se nuk do të lejohet asnjë veprim pa u regjistruar digjitalisht.
Në vendim citohet në mënyrë taksative se “çdo lëvizje, transferim, hapje, rimbyllje, marrje në dorëzim, dorëzim për analizë, ndryshim vendruajtjeje ose çdo veprim tjetër mbi materialin regjistrohet në mënyrë të pandërprerë në zinxhirin e ruajtjes dhe gjurmueshmërisë.”
Transporti i këtyre produkteve do të bëhet vetëm me mjete të mbyllura, të sigurta dhe ku materiali nuk është i dukshëm nga jashtë. Çdo devijim nga itinerari apo ndërprerje e pajustifikuar do të trajtohet menjëherë nga autoritetet, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit.
Standardet e cilësisë dhe testet e laboratorit
Për të garantuar që produkti mjekësor dhe ai industrial plotësojnë standardet e kërkuara, Agjencia ka të drejtë të marrë mostra në çdo fazë të kultivimit. Për kanabisin industrial, pragu maksimal i lejuar i substancës psikoaktive (THC) mbetet i prerë.
“Për nivelin total të THC-së për cannabis-in për qëllime industriale, loti konsiderohet jo në përputhje kur vlera e matur tejkalon kufirin maksimal të lejuar prej 0.8%,”, theksohet në Nenin 20 të vendimit.
Nëse analizat tregojnë devijime, produkti vendoset menjëherë në karantinë. Pasi shterohen të drejtat për ritestim nga subjekti, nëse rezultati mbetet jokonform, projektligji specifikon qartë fatin e produktit: “Loti jokonform nuk lejohet të hidhet në qarkullim vijon me procedurën e asgjësimit.”
Konfiskimi dhe asgjësimi me tolerancë zero
Për subjektet që shkelin kushtet e licencës ose tentojnë të operojnë jashtë kuadrit ligjor, masat janë të ashpra. Vendimi autorizon punonjësit e Agjencisë të bëjnë sekuestrimin e përkohshëm të produktit sa herë konstatojnë rrethana të dyshimta, për të parandaluar zhdukjen apo tjetërsimin e provave.
Kur vërtetohen shkeljet, si për shembull kultivimi i materialit të pashënjuar, rasti i kalon ministrit përgjegjës për konfiskim. Më pas, bima ose nënproduktet asgjësohen në mënyrë të pakthyeshme nga struktura të posaçme, në prani të Policisë së Shtetit, në mënyrë që “materiali të bëhet i papërdorshëm dhe i pakthyeshëm për çdo përdorim të mëtejshëm”.
