Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Avdi Memçaj ndodhet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, pasi u arrestua në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Sipas Kocit, familjarët e Memçajt i janë drejtuar atij për mbrojtjen e të drejtave të tij, duke bërë të ditur se ai prej vitesh jeton në Kroaci, ku është pronar i disa furrave të bukës.
Koci tha se do ta trajtojë rastin me seriozitet dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike të nevojshme, ndërsa u bëri thirrje edhe institucioneve të Kosovës që të ofrojnë mbështetje institucionale. Ai ngriti shqetësimin edhe për shtimin e rasteve të ndalimit të qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi, duke i ftuar ata t’i raportojnë rastet tek institucionet përkatëse.
Postimi i plotë:
Që nga 20 maji në paraburgim në Serbi, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Avdi Memçaj është arrestuar më 20 maj në pikën kufitare në Merdarë dhe që nga ajo ditë ndodhet në paraburgim në Serbi, sipas informatave që më ka dhënë familja e tij.
Familjarët e tij më janë drejtuar duke kërkuar që të angazhohem për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt.
Sipas tyre, Avdi Memçaj prej vitesh jeton në Kroaci, ku është pronar i disa furrave të bukës.
Rastin nuk e kanë bërë publik deri më sot, se pasur frikë se kjo mund të kishte pasoja si për Avdi Memçajn, ashtu edhe për familjen e tij, pasi shpesh kalojnë përmes Serbisë për të ardhur në Kosovë.
Do ta shqyrtoj me seriozitet këtë rast dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet juridike që i lejon ligji për mbrojtjen e të drejtave të tij.
Pres që edhe institucionet e Republikës së Kosovës ta trajtojnë këtë rast me seriozitet dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme institucionale për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt.
Njëkohësisht, dua të ndaj edhe një shqetësim.
Kohëve të fundit kam marrë gjithnjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Republikës së Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi. Në disa raste më është raportuar se u është kontrolluar edhe përmbajtja e telefonave mobilë.
U bëj thirrje qytetarëve që, nëse përballen me situata të tilla, t’i njoftojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe, sipas nevojës, të kërkojnë ndihmë juridike. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një pasqyrë e plotë e situatës, dhe të reagohet me kohë.
