Lajme

Qeveria në detyrë ndan mbi 255 mijë euro për tekstet e nxënësve në Luginë, miratohen edhe tri vendime

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar katër vendime, përfshirë ndarjen e mbi 255 mijë eurove për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sipas njoftimit, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndarjen e 255,153.45 eurove për blerjen e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, pa kompensim, të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A., me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.

Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe ndarja e 40 mijë eurove për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.

Sipas vendimit, nga kjo shumë: 20 mijë euro do t’i ndahen organizatës FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova; 20 mijë euro do t’i ndahen Innovation Centre Kosovo (ICK).

Qeveria ka bërë të ditur se këto mjete synojnë mbështetjen e organizimit të iniciativave dhe ngjarjeve ndërkombëtare që kontribuojnë në promovimin e Republikës së Kosovës, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar, zhvillimin e ekosistemit vendor të inovacionit dhe rritjen e dukshmërisë së vendit në nivel global.

Të Ngjashme