Lajme

Rama njofton një ministri të re javën e ardhshme, ja kush do t’a drejtojë

Administrata Publike do të ketë një ministri më vete javën e ardhshme. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e institucionit, duke sinjalizuar se drejtimi do t’i besohet Adea Pirdenit, aktualisht ministre Shteti për Administratën Publike.

Rama e argumentoi këtë ndryshim me rëndësinë që ka marrë administrata në punën e qeverisë dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, institucioni i ri do të mundësojë zgjerimin e përgjegjësive dhe të objektivave për modernizimin e administratës. Ai iu referua modelit të ministrive të ngjashme që funksionojnë në vende të tjera europiane.

Rama tha se synimi është të zgjerohet fusha e veprimtarisë së këtij institucioni, duke e lidhur forcimin e administratës me ndërtimin e një shteti që përmbush standardet europiane.

Për drejtimin e ministrisë së re, kryeministri dha një sinjal të qartë në favor të Pirdenit. Ai u shpreh se këtë përgjegjësi mund ta marrë vetëm ministrja aktuale e Shtetit për Administratën Publike.

Të Ngjashme