Lajme

​Rama: Për deklaratën e Paunoviqit reagoi përmes MPJ, s’bëhemi kor histerik sa herë dikush flet përçart në Beograd

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar minuta më parë në llogarinë e tij në “X”, lidhur me deklaratën skandaloze të ministres serbe për “spastrim etnik të Kosovës”.

Rama ka thënë se Shqipëria ka reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë.

Më herët, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveqla, ka kërkuar reagim më aktiv nga Shqipëria ndaj deklaratave fashiste të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila pati deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit “do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998.

Sveqla për Euronews ka thënë se retorika e Paunoviqit është kundër shqiptarëve dhe jo vetëm Kosovës, andaj ka theksuar se pret më shumë nga Shqipëria.

Nuk dihet nëse deklarata e Ramës aludon në reagimin e Sveqlës, por kryeministri i Shqipërisë tha se ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!

Të Ngjashme