Bashkimi Evropian po bën një gabim serioz duke mos u angazhuar drejtpërdrejt me udhëheqjen ruse për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, është shprehur kryeministri shqiptar, Edi Rama për “Politico.eu”.
“Mund të them se Evropa ka bërë një gabim të madh strategjik duke ndërprerë çdo kanal me Rusinë”, u shpreh ai në një intervistë në Forumin Ekonomik të Delphit në Greqi. “Evropa duhet të jetë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë në komunikim me të gjithë”, shtoi ai, raporton TCH.
“Sa më shumë ta shtyjmë (bisedën me Rusinë), aq më pak do të kemi fjalë në fund, sepse Rusia, sido që të përfundojë kjo luftë, nuk do të zhduket”, tha ai, duke shtuar se vendi i tij nuk ka asnjë lidhje me Rusinë.
“Ne nuk kemi asnjë lloj varësie nga Rusia, as investime, as gaz rus dhe asgjë ruse, kështu që mund ta them këtë”, ka thënë ai.
Komentet e Ramës vijnë në një kohë kur liderët e BE-së janë mbledhur në Nikozia të Qipros për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, si dhe krizën energjetike që po përballet blloku për shkak të bllokadës iraniane të Ngushticës së Hormuzit.
Gjatë 13 viteve të tij në pushtet, Rama e ka pozicionuar Shqipërinë pro-BE-së, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, objektivat e luftës së të cilit ndaj Iranit Rama i ka vlerësuar publikisht.
“Nuk është për ne (Shqipërinë) të vendosim si të trajtohet Irani në skenën globale, por është detyra jonë të mbështesim çdo përpjekje për ta dobësuar dhe ndoshta për ta rrëzuar atë regjim”, tha kryeministri shqiptar, duke shtuar se do të lejonte ushtrinë amerikane të zhvillonte operacione nga Shqipëria me kusht që Uashingtoni të siguronte “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi në vend”.
