Nenad Rashiq ka akuzuar Lista Serbe për, siç tha ai, “shtypje sistematike dhe masive” ndaj serbëve në Kosovë para zgjedhjeve të ardhshme.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se po ushtrohet presion përmes institucioneve, kërcënimeve për largim nga puna dhe frikësimit të punonjësve në institucionet serbe.
“Që nga momenti kur Lista Serbe erdhi zyrtarisht në skenën politike të Kosovës para 13 vitesh, nuk kam pritur asgjë demokratike dhe të mirë nga ana e tyre”, deklaroi Rashiq.
Sipas tij, metodat e presionit “janë gjithnjë e më mizore dhe brutale në çdo proces zgjedhor”.
Ai theksoi se qytetarët serbë në Kosovë duhet të kenë të drejtën të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik pa frikë apo presion institucional. Rashiq shtoi se institucionet e Kosovës duhet të garantojnë një proces zgjedhor të lirë, demokratik dhe të barabartë për të gjitha komunitetet.
