Një nga ngjarjet që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara rikthehet sërish në vëmendje, pasi drejtësia ka dhënë vendimin ekstrem për autorin.
Tanner Horner, 34 vjeç, është dënuar me vdekje për rrëmbimin dhe vrasjen e 7-vjeçares Athena Strand, një krim i ndodhur në nëntor të vitit 2022 në Texas, që shkaktoi reagime të forta në mbarë vendin.
Sipas hetimeve, burri, në atë kohë korrier, ishte duke shpërndarë pako kur iu afrua banesës së vogëlushes, duke mbajtur një kuti me lodra që ishin porositur për festat e fundvitit. Në ato momente, ai e mori fëmijën dhe e futi në automjetin e tij.
Autoritetet bëjnë me dije se vajza u vra pak më vonë, ndërsa trupi i saj u gjet i braktisur në një zonë të izoluar, disa kilometra larg shtëpisë.
Një nga elementët më tronditës të procesit gjyqësor ishte audioja e paraqitur në sallë, ku dëgjohen momentet e fundit të komunikimit mes vajzës dhe autorit. Në regjistrim, vogëlushja e pyet e frikësuar se ku po shkonin dhe çfarë po ndodhte, ndërsa në një moment kritik, me zë të dridhur, ajo e pyet: “Je rrëmbyes? Pse po ma bën këtë?”
Ky rast u kthye në simbol të debatit mbi sigurinë dhe dënimet maksimale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vendimi për dënimin me vdekje pritet të vazhdojë të ngjallë reagime të forta në opinionin publik.
/tiranapost
