ShowBizzz

Regjisori iranian dënohet me burg, pasi filmi i tij u shfaq në Kanë

Një gjykatë në Teheran ka dënuar regjisorin e njohur Said Rustagi me gjashtë muaj burg për shfaqjen e filmit të tij “Leila dhe vëllezërit e saj” në Festivalin e Filmit në Kanë 2022 .

Filmi artistik përshkruan historinë e një familjeje të varfër në një Iran të zhytur në krizë ekonomike. Ai u ndalua në Iran pas publikimit të tij vitin e kaluar “për shkak të shkeljes së rregullave nga pjesëmarrja e paautorizuar në festivalet e Kanës dhe Mynihut”, sipas autoriteteve iraniane.

“Gjykata revolucionare e Teheranit dënoi Said Rustagi dhe Javad Norouzbegi, regjisorin dhe producentin e filmit “Leila dhe vëllezërit e saj” me gjashtë muaj burg,” shkruante gazeta reformiste Etemad në faqen e saj të internetit. Të dy u shpallën fajtorë për “kontribuim në propagandën e opozitës kundër sistemit islamik” në Iran.

Megjithatë, gjykata vendosi që dy të dënuarit të vuajnë një të njëzetën e dënimit, pra nëntë ditë, ndërsa pjesa tjetër e dënimit do të pezullohet për pesë vjet.

“Gjatë periudhës së pezullimit, i dënuari do të përmbahet nga aktivitetet që lidhen me krimin e kryer dhe nuk do të ketë komunikim me persona aktivë në industrinë e filmit”.

34-vjeçari Said Rustagi njihet edhe nga filmi i vitit 2021 “Ligji i Teheranit”, një film kriminal për industrinë e drogës dhe shtypjen e saj nga shteti iranian.

Për filmin “Leila dhe vëllezërit e saj” regjisorit iranian iu dha çmimi i komitetit të Federatës Ndërkombëtare të Shtypit Kinematografik në maj të vitit 2022./abcnews.al