Joe Manganiello ka rrëfyer një tjetër detaj të vështirë nga martesa me Sofia Vergara-n, duke pretenduar se aktorja tallte për qenin e tij, në një periudhë kur ai po përballej me një sëmundje autoimune që i rrezikoi jetën.
Në librin e tij të ardhshëm, “Bloodlines”, aktori shkruan se Vergara e “shpërfillte dhe tallte” Bubbles, qenin e tij 5-kilogramësh, të cilin e kishte adoptuar në vitin 2019. Sipas Manganiello-s, qeni hyri në jetën e tij në një moment veçanërisht të errët, kur ai po kalonte një krizë të rëndë personale dhe shëndetësore.
“Më tallte për qenin që më ndryshoi jetën”Manganiello tregon se në atë periudhë kishte mendime vetëvrasëse dhe se kishte hequr dorë edhe nga arma që kishte në shtëpi, ndërsa ardhja e Bubbles ndryshoi mënyrën se si e shihte veten.
Sipas tij, kujdesi për qenin e bëri të kalonte nga roli i pacientit në atë të kujdestarit.
“Shkova nga të qenit pacient në të qenit kujdestar”, shkruan ai, duke e përshkruar Bubbles si një nga arsyet që e ndihmuan të gjente sërish një qëllim në një periudhë tepër të vështirë.
Megjithatë, ai pretendon se Vergara nuk e shihte në të njëjtën mënyrë lidhjen e tij me qenin dhe se e tallte për të. Manganiello gjithashtu thotë se ajo refuzonte ta përqafonte edhe kur ai i kërkonte, ndërsa ishte rëndë i sëmurë.

Një betejë e gjatë me sëmundjen
Problemet shëndetësore të aktorit nisën, sipas rrëfimit të tij, pas martesës së çiftit në vitin 2015. Për rreth shtatë vjet, ai thotë se vuajti nga simptoma të rënda, përfshirë dhimbje të forta abdominale, skuqje të lëkurës, dhimbje koke, lodhje dhe gjakderdhje.
Gjatë kësaj periudhe, Manganiello humbi rreth 27 kilogramë dhe iu nënshtrua disa kolonoskopive. Në vitin 2016, ai kreu një ndërhyrje urgjente gjatë së cilës iu hoq një pjesë e zorrëve, duke u detyruar për një periudhë të përdorte edhe një qese ostomie.
Sot, aktori thotë se është pa simptoma dhe nuk merr më ilaçe, pas një ndërhyrjeje të mëvonshme që i riktheu funksionimin normal të sistemit tretës.
Një tjetër version për divorcin
Rrëfimi i Manganiello-s prek edhe një tjetër pikë të debatueshme të martesës së tyre: arsyen e divorcit.
Vergara kishte thënë më parë se martesa mori fund pasi Manganiello dëshironte fëmijë, ndërsa ajo nuk donte të bëhej nënë në një moshë më të madhe.

Manganiello e kundërshton këtë version. Ai pretendon se ishte pikërisht gjendja e tij shëndetësore ajo që e bëri të hiqte dorë nga dëshira për të pasur fëmijë, pasi nuk donte të rrezikonte që të vdiste dhe të linte Vergara-n me një fëmijë që, sipas tij, nuk do të ishte biologjikisht i saj.
“Bloodlines” është, sipas Manganiello-s, edhe një mënyrë për të korrigjuar ato që ai i konsideron versione të pasakta për jetën e tij. Aktori thotë se janë thënë dhe shkruar gjëra të pavërteta për të dhe se libri i jep mundësinë të tregojë historinë nga këndvështrimi i tij.
Vergara nuk ka dhënë ende një përgjigje publike ndaj këtyre pretendimeve në materialin e publikuar. Çifti u martua në vitin 2015 dhe u divorcua në vitin 2023./Anabel
