Shëndetësi

Rriten rastet me sëmundje malinje dhe beninje në Kosovë

Në Kosovë janë regjistruar 3 mijë e 775 raste të reja me sëmundje malinje dhe beninje gjatë vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo paraqet rritje prej tre pikë 6 për qind krahasuar me vitin paraprak. Më 2024 ishin evidentuar 3 mijë e 644 raste, KP.

Raporti “Statistikat e Shëndetësisë 2025” tregon rritje edhe të vizitave në institucionet shëndetësore. Ky ndryshim është shënuar në nivelet parësore, dytësore dhe tretësore.

Rritja më e madhe është evidentuar në laboratorët e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor.

Në sektorin publik shëndetësor ishin të punësuar gjithsej katërmbëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e katër persona. Prej tyre, tre mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë ishin mjekë specialistë dhe tetë mijë e njëqind e pesëdhjetë e një infermierë.

Në këtë sektor punonin edhe treqind e tetëdhjetë e gjashtë stomatologë, njëqind e njëzet farmacistë dhe pesëdhjetë e shtatë fizioterapistë. Numri përfshin gjithashtu dyqind e tridhjetë e pesë bashkëpunëtorë shëndetësorë dhe dy mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë pjesëtarë të stafit jomjekësor.

Ndërkaq, numri i profesionistëve shëndetësorë të licencuar nga odat përkatëse arriti në shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë. Prej tyre, dhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një ishin burra, ndërsa shtatë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë gra.

Gjatë vitit të kaluar, në Kosovë operonin dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë e dy institucione private shëndetësore të licencuara. Në këtë numër përfshihen tridhjetë e tre spitale dhe dy mijë e treqind e njëzet e nëntë institucione të tjera.

Ambulancat stomatologjike përbënin kategorinë më të madhe, me katërqind e njëzet e pesë institucione. Pas tyre renditeshin ambulancat gjinekologjike me njëqind e tetëdhjetë e nëntë dhe qendrat diagnostike me njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë.

 

Të Ngjashme