Deklarimet e fundit të pasurisë së zyrtarëve publikë ka nxjerrë në pah zhvillime të reja si nga blerja e banesave me kredi, hapja e bizneseve, po ashtu edhe shtim të pronave të paluajtshme.
Doarsa Kica- Xhelili, ish- deputetja e LDK-së dhe kandidatja për mandat të ri në zgjedhjet e 7 qershorit, ka deklaruar në ASK se bashkëshortit të saj i janë shtuar dy kompani të reja: “Living Energy” dhe “Living Energy Tech”.
Këto kompani janë të fokusuara në transmetimin dhe prodhimin e energjisë elektrike, një sektor që po konsiderohet ndër më perspektivët në Kosovë pas hapjes së tregut energjetik.
Në këto kompani aksionarë rezultojnë katër persona, ndër ta edhe ish-kandidati për deputet Berat Rukiqi, ndërsa bashkëshorti i Doarsa Kica-Xhelili figuron si bashkëpronar në të dy kompanitë edhe person i autorizuar.
Sipas të dhënave të regjistrimit, të dy kompanitë janë hapur në janar të vitit 2025.
Arsyetimi i kandidates, Doarsa Kica- Xhelili, ka qenë se bëhet bëhet fjalë për një investim të vogël në një projekt solar dhe jo për aktivitete të transmetimit të energjisë, siç është interpretuar në disa raportime.
“Nuk po flasim për transportim të energjisë elektrike, po flasim për një park të vogël solar. Lidhje s’ka me çka po proklamohet. Është një park solar, që e ka synim prodhim e energjisë elektrike brenda Kosovës. Pastaj shitjen në tregun e lirë tek bizneset private”, ka thënë Kica-Xhelili.
Një “arsyetim” ka pasur edhe kandidati për deputet, Berat Rukiqi, i cili ka thënë se ai merret me emergji dhe prej vitesh zhvillon dhe promovon projekte të energjisë solare nga 4 MW deri në mbi 100 MW kapacitete (parqe solare).
“Po, unë merrem me energji. Por me një dallim të madh prej teje: unë angazhohem për prodhimin e energjisë në Kosovë, ndërsa t’i nuk ke arritur të shtosh as edhe 1 megavat të vetëm.
Po, prej vitesh zhvilloj dhe promovoj projekte të energjisë solare, nga 4 MW deri në mbi 100 MW kapacitet (parqe solare)
Që nga viti 2020 jam angazhuar publikisht për ta sjellë Gazin e Lëngshëm Amerikan (LNG) në Kosovë, një mundësi strategjike që ju e refuzuat me arsye banale.
I gjithë angazhimi im në sektorin e energjisë ka vetëm një qëllim: më shumë prodhim vendor, më shumë energji e gjelbert, më shumë siguri energjetike dhe më pak varësi nga importi.
Sepse çdo megavat i prodhuar në Kosovë është më pak para për Hamovicin e monopolistët e tjerë të mafisë energjetike”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.
Ndjeshmëria e sektorit të energjisë

Gazmend Halilaj
Avokati Gazmend Halilaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se hapja e kompanive për tregtim me energji nga persona të lidhur me politikën ngre pyetje legjitime që meritojnë vëmendje publike e institucionale.
Sipas tij, përfshirja e figurave politike apo e familjarëve të tyre në këtë sektor mund të ngrejë dyshime për konflikte interesi.
“Hapja e kompanive për tregtim me energji nga persona të lidhur me politikën, si ish-kandidati për deputet Berat Rukiqi dhe bashkëshorti i deputetes Doarsa Kica-Xhelili, ngre pyetje legjitime që meritojnë vëmendje publike dhe institucionale. Nuk bëhet fjalë për të paragjykuar askënd apo për të pretenduar se është kryer ndonjë shkelje, por për të diskutuar rreziqet që mund të paraqiten kur politika dhe biznesi ndërthuren në sektorë strategjikë. Sektori i energjisë është një nga fushat më të ndjeshme të ekonomisë, pasi varet në masë të madhe nga vendimet e institucioneve shtetërore, autoriteteve rregullatore dhe politikave publike. Për këtë arsye, përfshirja e figurave politike apo e familjarëve të tyre në këtë sektor mund të ngrejë dyshime për konflikt interesi, edhe në rastet kur veprimtaria e tyre është plotësisht ligjore”, shprehet Halilaj.
Sipas tij, mund të ketë dyshime që mund ta dëmtojnë besimin e publikut në institucionet dhe në tregun e lirë.
“Një nga shqetësimet kryesore është mundësia që lidhjet politike të përdoren për të siguruar avantazhe konkurruese në treg. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse afërsia me qendrat e vendimmarrjes mund të ndikojë në procesin e licencimit, qasjen në informacione të privilegjuara apo në përfitimin e mundësive që nuk janë të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë. Vetë ekzistenca e këtyre dyshimeve mund të dëmtojë besimin e publikut në institucionet dhe në tregun e lirë. Për këtë arsye, institucionet e drejtësisë dhe agjencitë kundër korrupsionit duhet të monitorojnë me kujdes investimet e politikanëve dhe familjarëve të tyre në sektorë strategjikë si energjia. Transparenca e plotë mbi pronësinë, interesat financiare dhe raportet me institucionet publike është mënyra më e mirë për të shmangur dyshimet dhe për të garantuar se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë”, thekson avokati.
Sektori i energjisë shpesh ka qenë objekt i aferave korruptive dhe i ndikimeve politike nga përvoja e rajonit, thotë Halilaj, për këtë sipas tij, mbetet e nevojshme që ato të jenë aktive, të pavarura dhe të veprojnë pa dallime politike.
“Përvoja e vendeve të rajonit tregon se sektori i energjisë ka qenë shpesh objekt i aferave korruptive dhe i ndikimeve politike. Kjo e bën edhe më të rëndësishme forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes në Kosovë. Edhe pse ekzistojnë institucione dhe ligje që synojnë parandalimin e konfliktit të interesit dhe korrupsionit, mbetet e nevojshme që ato të jenë aktive, të pavarura dhe të veprojnë pa dallime politike. Në fund, çështja nuk është nëse dikush ka të drejtë të investojë në biznes, por nëse ekzistojnë garanci të mjaftueshme që pozita politike, lidhjet partiake apo ndikimi institucional nuk do të përdoren për përfitime private. Vetëm transparenca, llogaridhënia dhe zbatimi i barabartë i ligjit mund të sigurojnë besimin e qytetarëve në një sektor kaq të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, përfundon Halilaj për “Bota sot”.
Rrezik për korrupsion, nevoja për reagim para skandalit

Lirim Gashi
Ndërsa, analisti politik Lirim Gashi, thotë duhet kujdes të mos ngatërrohet sipërmarrja private me korrupsionin.
Por, sipas tij, energjia nuk është treg i zakonshëm, ajo është arteria përmes së cilës rrjedh gjaku ekonomik i një shtetit dhe për këtë çdo përfshirje e figurave politike ose familjarëve të tyre ngre automatikisht nevojën për transparencë maksimale.
“Së pari, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos e ngatërrojmë sipërmarrjen private me korrupsionin. Në një ekonomi të lirë, askush nuk duhet të paragjykohet vetëm pse investon në energji, ndërtimtari, bujqësi apo në cilindo sektor tjetër. Problemi nuk lind nga fakti se dikush hap kompani, por nga fakti nëse ai ose ajo gëzon privilegje që nuk janë të qasshme për qytetarët e tjerë.
Megjithatë, energjia nuk është treg i zakonshëm. Ajo është arteria përmes së cilës rrjedh gjaku ekonomik i një shteti. Në këtë sektor, licencat, tarifat, subvencionet, lidhjet me rrjetin, kontratat publike dhe vendimet rregullatore mund të vlejnë miliona euro. Pikërisht për këtë arsye, çdo përfshirje e figurave politike ose e familjarëve të tyre ngre automatikisht nevojën për transparencë maksimale. Siç do të thoshte Dostojevski, problemi nuk qëndron te pasuria, por te tundimi që pushteti i jep njeriut për ta konsideruar veten përjashtim nga rregullat. Ndërsa Kishoni do të shtonte me ironi se në Ballkan disa njerëz hyjnë në politikë për t’i shërbyer popullit, por përfundojnë duke e trajtuar popullin si departament të kompanisë së tyre private. Prandaj, po, ekziston rreziku teorik i konfliktit të interesit sa herë që njerëz të lidhur ngushtë me politikën veprojnë në sektorë që varen nga vendimmarrja shtetërore. Kjo nuk do të thotë se konflikti i interesit ekziston domosdoshmërisht, por do të thotë se duhet të provohet qartë dhe bindshëm se ai nuk ekziston”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
I pyetur nëse ekziston rreziku që lidhjet politike të përdoren për të siguruar favore, licenca apo përfitime të padrejta në tregun energjetik, Gashi thotë se ky nuk është rrezik imagjinar.
Ai kërkon transparencë, që sipas tij nuk është luks demokratik, por mekanizëm mbrojtës.
“Historia e rajonit na mëson se ky rrezik nuk është imagjinar. Nga Beogradi deri në Sofia, nga Tirana deri në Shkup, sektori i energjisë ka qenë shpesh magnet për interesa ekonomike që kërkojnë mbështetje politike. Kjo ndodh sepse aty ku qarkullojnë miliona, gravitacioni i pushtetit bëhet po aq i fortë sa ligjet e fizikës.
Nietzsche shkruante se kur dikush qëndron gjatë pranë pushtetit, pushteti fillon ta shikojë atë në sy. Në realitetin tonë ballkanik, ndonjëherë pushteti jo vetëm që e shikon në sy, por i hap edhe derën nga hyrja anësore. Pikërisht për këtë arsye transparenca nuk është luks demokratik, por mekanizëm mbrojtës.
Kjo nuk do të thotë se çdo biznesmen me lidhje politike përfiton në mënyrë të padrejtë, por do të thotë se sistemi duhet të jetë aq transparent sa askush të mos ketë mundësi të përfitojë në mënyrë të padrejtë. Në një shtet serioz, integriteti nuk matet nga deklaratat, por nga mundësia për t’i verifikuar ato”, thekson analisti.
Institucionet nuk duhet të presin derisa të shpërthejë një skandal, por sipas Gashit, institucionet duhet të parandalojnë skandalin.
“Po, pa asnjë dilemë duhet institucionet e drejtësisë dhe agjencitë kundër korrupsionit të monitorojnë më nga afër investimet e politikanëve dhe familjarëve të tyre në sektorë strategjikë si energjia. Jo sepse duhet të ndëshkohet suksesi ekonomik, por sepse duhet të garantohet barazia para ligjit. Në një demokraci të shëndetshme, kontrolli nuk është shenjë mosbesimi ndaj individit; është shenjë respekti ndaj interesit publik.
Sa më strategjik të jetë sektori, aq më i lartë duhet të jetë standardi i transparencës. Energjia, telekomunikacioni, infrastruktura dhe financat nuk janë fusha të zakonshme ekonomike. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në interesin publik dhe në sigurinë ekonomike të shtetit.
Prandaj institucionet nuk duhet të presin derisa të shpërthejë një skandal. Detyra e tyre është ta parandalojnë skandalin. Drejtësia moderne nuk matet vetëm nga aftësia për të ndëshkuar, por edhe nga aftësia për të parandaluar”, shprehet Gashi.
Në fund, sipas Gashit, aty ku politika dhe kapitali takohen pa sy publik mbi kokë, historia ballkanike mëson se zakonisht nuk lind konkurrenca e lirë, por lind kushërirja e interesit.
“Ligjet ekzistojnë dhe në letër janë relativisht solide. Problemi historik i Kosovës nuk ka qenë mungesa e ligjeve, por mungesa e një kulture të pandalshme të zbatimit të tyre. Ne kemi pasur shpesh institucione që ngjajnë me qen roje të lidhur me zinxhir: lehin me zë të lartë, por e kanë të pamundur të kafshojnë.
Pyetja thelbësore nuk është nëse dikush ka hapur kompani energjetike. Pyetja e vërtetë është: a janë të gjitha procedurat, licencat, kontratat dhe përfitimet e mundshme të ekspozuara ndaj dritës së plotë publike?
Sepse korrupsioni, si kërpudhat helmuese, nuk rritet në dritën e diellit. Ai rritet në errësirë. Një shtet serioz nuk duhet të ketë frikë nga biznesi dhe as biznesi nuk duhet të ketë frikë nga shteti. Por të dy duhet të kenë frikë nga mungesa e transparencës.
Aty ku politika dhe kapitali takohen pa sy publik mbi kokë, historia ballkanike na mëson se zakonisht nuk lind konkurrenca e lirë, por lind kushëriria e interesit. Dhe kushëriria e interesit ka qenë shpesh nëna biologjike e korrupsionit. Nëse Kosova dëshiron të shmangë këtë fat, atëherë transparenca, kontrolli institucional dhe llogaridhënia duhet të jenë po aq të fuqishme sa interesat që kërkojnë t’i anashkalojnë ato”, përfundon analisti për “Bota sot”.
