LifeStyle

Sa kushton të ngrohësh një apartament gjatë ditëve të ftohta – rekomandime për çdo dhomë, nga dhoma e ndenjes deri te dhoma e gjumit

Me ardhjen e sezonit të ngrohjes, rëndësi ka që temperatura në banesë të jetë e përshtatshme për shëndetin dhe rehatinë, pa rritur tepër faturat e energjisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 18 gradë Celsius konsiderohen temperatura minimale e sigurt për të rriturit e shëndetshëm, ndërsa fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike mund të kenë nevojë për më shumë ngrohtësi.

Sipas Agjencisë Federale Gjermane për Mjedisin, temperatura e rekomanduar në dhomën e ditës dhe atë të fëmijëve është rreth 20 gradë, në kuzhinë 18 gradë, e në dhomën e gjumit 17 gradë Celsius.

Megjithatë, banesa nuk duhet të ftohet tepër, pasi kjo mund të rrisë lagështinë dhe rrezikun e shfaqjes së mykut.

Për të kursyer energji, çdo ulje e temperaturës me një gradë mund të zvogëlojë konsumin për ngrohje me rreth 6 për qind.

Gjithashtu, mbyllja e roletave ose tërheqja e perdeve gjatë natës ndihmon në uljen e humbjeve të nxehtësisë përmes dritareve.

Edhe ajrosja e duhur është e rëndësishme.

Në vend që dritarja të mbahet vazhdimisht pak e hapur, rekomandohet që disa herë në ditë të hapen plotësisht dritaret për 5–10 minuta, ngrohja të ulet përkohësisht.

Kjo ndihmon në freskimin e ajrit dhe largimin e lagështisë së tepërt.

Në banesat me izolim të dobët, gjatë sezonit të ngrohjes këshillohet që lagështia e ajrit të mbahet nën 50 për qind, për të zvogëluar rrezikun e mykut.

Kombinimi i temperaturës së përshtatshme, ajrosjes së rregullt dhe kursimit të energjisë ndihmon që shtëpia të jetë e ngrohtë dhe e shëndetshme gjatë ditëve të ftohta. 

Të Ngjashme