Njësitë kompetente të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar 209 pako me barna të kontrabanduara gjatë një kontrolli të zhvilluar në një barnatore në Prishtinë.
Kontrolli është realizuar pas informatave të pranuara nga qytetarët për dyshime lidhur me tregtinë e kundërligjshme të barnave. Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një hapësirë të modifikuar dhe të fshehur brenda objektit, ku ishin vendosur barnat.
Sipas Doganës së Kosovës, barnat e gjetura nuk kishin banderola të Republikës së Kosovës, ndërsa të gjitha produktet janë sekuestruar dhe janë marrë në administrim nga autoritetet kompetente.
Rasti do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse ligjore. Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së kundërligjshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e funksionimit të tregut të ligjshëm.
Njëkohësisht, autoritetet doganore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kontrabandës apo tregtisë së paligjshme, duke theksuar se informatat e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.
