Juristi Hasan Shala, ka vlerësuar se presidentja Justina Shiroka-Pula ka bërë shkelje të dispozitave kushtetuese me kthimin në rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Shala ka thënë se presidentja nuk e ka bërë këtë sipas neni 80, paragrafi 3.
Sipas tij, presidentja do duhej të arsyetonte nenet e ligjit që bien ndesh.
“Presidentja e ka kthyer në rishikim edhe është kundër kushtetuese, sepse nuk mund me u kthyer në rishikim, duhet me thënë se cilat dispozita janë në kundërshtim me ligjin dhe interesat e Kosovës, nuk e ka arsyetuar fare. Presidentja ka bërë shkelje në rastin e kthimit, si nguti e kanë hartuar ligjin dhe me nguti e ka kthyer ligjin”, ka thënë Shala në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai poashtu ka thënë se presidentja nuk mundet me vlerësuar një kërkesë të PDK-së, pasi sipas tij, Ligji më nuk është i PDK-së por i Kuvendit pasi nga ai është miratuar.
“Edhe nuk mundet me vlerësua, kërkesën e PDK-së, është parti dhe sponzorizuese e ligji, mirëpo këtë e ka miratuar Kuvendit dhe është ligji i Kuvendit dhe jo i PDK-së”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se nëse Kuvendi vendos që këtë ligj pa ndryshime me dërgu te presidentja , e para e vendit më nuk ka të drejtë ta kthejë.
Presidentja Shiroka-Pula sot ka kthyer për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkes së PDK-së.
Ndërsa, Përparim Gruda udhëheqës i grupit punues për hartimin e këtij ligji ka thënë se nuk ka asnjë gabim në këtë ligj.
