ShowBizzz

Shijoi 300 vakte falas në zonën VIP në aeroport, në fund anuloi biletën e klasit të parë

Kjo është një nga ato histori që vërteton se ndonjëherë, zgjuarsia tejkalon çdo rregullore të shkruar. Një burrë në Kinë gjeti një “vrimë” në sistemin e biletave të klasit të parë dhe arriti të hante falas për gati një vit të tërë, pa shpenzuar asnjë Juan. Burri bleu një biletë të klasit të parë me kompaninë China Eastern Airlines, e cila ishte plotësisht e rimbursueshme.

Çdo ditë, ai paraqitej në Aeroportin Ndërkombëtar të Xi’an-it, kalonte në zonën VIP dhe shijonte vaktet luksoze që u ofrohen pasagjerëve të këtij niveli. Pasi mbaronte ushqimin, në vend që të hipte në avion, ai shkonte te sporteli dhe e shtynte fluturimin e tij për të nesërmen.

Kjo rutinë u përsërit mbi 300 herë brenda një viti. Sistemi i linjës ajrore lejonte ndryshimin e datës së fluturimit pa asnjë kosto shtesë për biletat e klasit të parë, dhe burri e shfrytëzoi këtë deri në maksimum.

Zyrtarët e kompanisë e vërejtën anomalinë vetëm kur panë se e njëjta biletë ishte ri-rezervuar qindra herë, gjë që i bëri ata ta thërrisnin për sqarim. Kur u përball me stafin e linjës ajrore, burri nuk e humbi qetësinë. Ai thjesht e anuloi biletën përfundimisht dhe kërkoi rimbursimin e plotë të parave të tij. Meqenëse biletat e klasit të parë ishin sipas kontratës “plotësisht të rimbursueshme”, kompania u detyrua t’ia kthente çdo qindarkë, duke pranuar se nuk kishin asnjë mjet ligjor për ta ndaluar këtë veprim të rrallë.

Të Ngjashme