Lajme

Maqedonci në Bruksel: Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na mundësonte ta mbështesnim më shumë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën, ndërsa ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të hapte mundësi për një bashkëpunim dhe mbështetje edhe më të madhe.

Këto deklarata Maqedonci i bëri gjatë Konferencës për Deminimin në Ukrainë (UMAC), të mbajtur në Bruksel, ku foli për përvojën e Kosovës në fushën e deminimit dhe kontributin e saj në mbështetje të Ukrainës.

Ai bëri të ditur se që nga viti 1999, Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë pastruar 62 milionë metra katrorë tokë, kanë shkatërruar 93 mijë mjete shpërthyese dhe u janë përgjigjur afro 10 mijë thirrjeve për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.

Sipas Maqedoncit, kjo përvojë është arritur pa u lënduar asnjë pjesëtar i FSK-së gjatë operacioneve të pastrimit të minave dhe mjeteve të pashpërthyera.

Ministri theksoi se Kosova ka kontribuar edhe drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve ukrainase, duke bërë të ditur se FSK-ja, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, ka trajnuar shtatë grupe me gjithsej 146 pjesëtarë të Policisë Kombëtare, Gardës Kombëtare dhe Shërbimeve të Emergjencës së Ukrainës.

Ai përmendi edhe dy pakot e mbështetjes ushtarake të ofruara nga Kosova, kontributin dyvjeçar në operacionin britanik “Interflex”, për trajnimin e rekrutëve ukrainas, si dhe pritjen e gazetarëve ukrainas në Kosovë.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas konfliktit, por edhe në faza të tjera, kur të vendosim bashkërisht për një gjë të tillë”, deklaroi Maqedonci.

Duke folur për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Ukraina, ministri tha se një vendim i tillë do të lehtësonte zgjerimin e mbështetjes.

“Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës, pa pasur nevojë të përballemi me procedura dhe pengesa, të cilat mund t’i quajmë të panevojshme”, u shpreh ai.

Maqedonci foli edhe për ndikimin rus në Evropë, duke theksuar se prania e tij vazhdon të jetë e dukshme në Serbi, ku, sipas tij, institucionet ruse vazhdojnë të kenë kontakte dhe bashkëpunim me institucionet e sigurisë.

Ai vlerësoi se zvogëlimi dhe pengimi i ndikimit rus në Evropë do të kontribuonte në mbështetjen e Ukrainës dhe në forcimin e sigurisë evropiane.

Të Ngjashme