ShowBizzz

Si e ktheu Dijana Rexhepi dashurinë për estetikën në një histori suksesi me emrin “Diana Beauty”

Pas çdo biznesi të suksesshëm qëndron një histori sakrifice, këmbënguljeje dhe besimi në ëndrra. Një histori e tillë është edhe ajo e Dijana Rexhepit, një gruaje shqiptare që arriti të ndërtojë identitetin e saj profesional në Zvicër, duke e shndërruar pasionin për estetikën në një profesion të dashur dhe të respektuar.

E lindur dhe e rritur në Ferizaj, Dijana mori një vendim të rëndësishëm në moshë të re. Në moshën 18-vjeçare ajo u martua dhe u shpërngul në Zvicër, në kantonin e Solothurnit, ku nisi një kapitull krejtësisht të ri të jetës së saj. Sot është nënë e dy fëmijëve, një vajze 13-vjeçare dhe një djali 6-vjeçar, ndërsa rrugëtimi i saj mbetet një shembull i qartë se sfidat mund të shndërrohen në mundësi.

Fillimet në Zvicër nuk ishin të lehta. Largimi nga familja dhe përshtatja me një vend të ri sollën vështirësi emocionale dhe sociale. Megjithatë, në vend që të dorëzohej, Dijana vendosi ta shihte këtë periudhë si një investim për të ardhmen. Për tre vite me radhë ndoqi kurse të gjuhës gjermane pa ndërprerje, nga e hëna deri të premten, e bindur se integrimi dhe arsimi do të ishin çelësi i suksesit të saj.

Gjatë viteve, ajo krijoi përvojë në profesione të ndryshme. Përfundoi shkollimin në hoteleri dhe punoi si shitëse në Coop, por brenda vetes e ndiente se rruga e saj e vërtetë ishte diku tjetër. Pasioni për kujdesin estetik dhe dëshira për të punuar ngushtë me njerëzit e orientuan drejt industrisë së bukurisë.

Të Ngjashme