Paketimi i valixhes shpesh kthehet në një sfidë: marrim më shumë gjëra sesa na duhen dhe në fund mezi gjejmë atë që kërkojmë. Me disa truke të thjeshta mund të organizoheni më mirë, të kurseni hapësirë dhe të udhëtoni më rehat.
1. Zgjidhni paraprakisht çfarë do të merrni
Vendosni të gjitha rrobat dhe sendet që mendoni të merrni në një vend dhe bëni një përzgjedhje të dytë. Hiqni ato që kanë të njëjtin funksion ose që me shumë gjasa nuk do t’i përdorni.
2. Përdorni rregullin 5-4-3-2-1
Për një udhëtim njëjavor merrni:
5 palë të brendshme dhe çorape
4 bluza
3 palë pantallona ose funde
2 palë këpucë
1 pizhame
Kjo është një formulë e thjeshtë për të mos e mbingarkuar valixhen.
3. Rrotulloni rrobat në vend që t’i palosni
Rrotullimi i rrobave kursen hapësirë dhe ndihmon që ato të mos rrudhen shumë gjatë udhëtimit.
4. Shfrytëzoni çdo centimetër të valixhes
Vendosni sendet e vogla brenda këpucëve, përdorni organizues ose qese të veçanta dhe mbushni hapësirat bosh me të brendshme ose aksesorë.
5. Mbani gjërat e rëndësishme afër
Rrobat që do t’ju duhen menjëherë pas mbërritjes, dokumentet, produktet e higjienës dhe sendet personale vendosini në pjesën më të arritshme të valixhes. Kjo ju kursen kohë dhe bezdi.
