Silva Gunbardhi ishte e ftuara e parë në sezonin e ri të emisionit “Në shtëpinë tonë”, të drejtuar nga Alban Musa. Gjatë bisedës, këngëtarja foli hapur për rrugëtimin e saj artistik, familjen, miqësitë dhe vështirësitë që ka kaluar ndër vite.
Duke kujtuar hapat e parë në muzikë, artistja tregoi se përpjekjet për të depërtuar në skenë kishin qenë të vështira. “Ishte vështirë të çaje dikur. Rrija te shkallët e radios dhe më thoshin ‘kam punë’”, rrëfeu ajo.
Të lidhura
None found
Gunbardhi përmendi edhe lidhjet miqësore që kanë mbetur të forta me kalimin e kohës. Ndër mikeshat e saj më të afërta ajo veçoi Eranda Libohovën dhe Irini Qirjakon.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe këngës së njohur “Të ka lali shpirt”. Për këtë sukses të karrierës së saj, këngëtarja bëri një deklaratë të drejtpërdrejtë: “Nuk e kam gëzuar asnjëherë këngën ‘Të ka lali shpirt’”.
Ajo foli gjithashtu për dëmin që i kanë shkaktuar lajmet dhe komentet e pavërteta të publikuara ndër vite. “Askush nga gazetarët nuk tha më fal”, deklaroi Silva.
Gjatë emisionit, Alban Musa e pyeti edhe për videon që po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale, ku Mandi i Nishtullës shfaqet në një gjendje të rënduar. Silva Gunbardhi u shpreh kundër publikimit të saj: “Është jeta e tij personale dhe nuk mendoj se duhej publikuar ajo video, është cenim i privatësisë”.
Këngëtarja ndau edhe një nga dëshirat e saj për të ardhmen, duke thënë: “Dua një tufë me fëmijë”.
Pas 26 vitesh karrierë në skenë, Silva Gunbardhi përcolli një rrëfim të sinqertë dhe emocional, ku ndau me publikun kujtime, histori dhe mendime nga jeta e saj artistike e personale.
