Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas incidentit të ndodhur në minierën në Stan Tërg, ku disa minatorë mbetën të bllokuar përkohësisht si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Përmes një komunikate, sindikata thekson se prej kohësh ka alarmuar për gjendjen e rënduar në minierë dhe mungesën e investimeve, duke paralajmëruar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e minatorëve.
“Sot po vërtetohet ajo që kemi theksuar prej kohësh. Gjendja në minierë është shqetësuese dhe kërkon veprim urgjent”, thuhet në reagim.
Sipas sindikatës, Trepça ka nevojë urgjente për investime në pajisje dhe përmirësim të kushteve të punës, pasi përdorimi i pajisjeve të vjetra dhe mungesa e mirëmbajtjes po rrisin rrezikun për punëtorët.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
“Siguria e minatorëve duhet të jetë prioritet absolut”, thuhet më tej në reagim.
Ndërkohë, minatorët që kishin mbetur të bllokuar pas defektit në furnizimin me energji elektrike janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
