Lajme

​“Sot na bënë krenarë”, emocionet e familjarëve në diplomimin e policëve të rinj

Sot u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, të cilët pas përfundimit të përgatitjes profesionale do t’i bashkohen radhëve të këtij institucioni

Familjarët e kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës, të cilët sot diplomuan si pjesëtarë të rinj të këtij institucioni, kanë shprehur emocione dhe krenari me suksesin e më të afërmve të tyre, por edhe me punën e madhe që po kryen policia e vendit tonë.

Në mesin e tyre janë edhe Florian Kolgeci dhe Artiol Pajaziti, familjarët e të cilëve kanë ndarë emocionet dhe krenarinë për këtë arritje, duke vlerësuar rrugëtimin dhe përgatitjen e tyre për t’i shërbyer vendit.

Njëri nga familjarët, duke folur për diplomimin e vëllait të tij të vogël, Florian Kolgeci, e ka cilësuar këtë ditë si një moment të veçantë krenarie.

Vëllai i vogël diplomon polic: Krenari e madhe që do t’i shërbejë Republikës së Kosovës

“Sot është diplomuar vëllai i vogël, Florian Kolgeci. Është një kënaqësi e veçantë dhe krenari e madhe që do t’i shërbejë Republikës së Kosovës. Ka qenë sfidë për ta, por edhe mësim. Uroj dhe shpresoj që Policia e Kosovës të jetë dhe të mbetet njëra ndër policitë më të mira në Ballkan dhe besoj që kjo gjeneratë do ta bëjë shtetin e Kosovës krenar, me meritat dhe punën e vet, shumë të suksesshme”, ka thënë ai.

Edhe familja e Artiol Pajazitit ka shprehur emocionet për diplomimin e tij, duke vlerësuar përgatitjen profesionale të kadetëve nga ekipi i Policisë së Kosovës.

Familjari: Krenari e madhe për përgatitjen profesionale të policëve të rinj

“Nga familja ime sot ka diplomuar Artiol Pajaziti. Me të vërtetë është një emocion shumë i madh. E përgëzoj këtë përgatitje profesionale, të cilën e ka dhënë i gjithë ekipi profesional i Policisë së Kosovës, për përgatitjen e tyre fizike, psikike, mendore dhe në çdo lëmi”, është shprehur familjari.

Ndërkaq, një prind ka treguar se shërbimi në Policinë e Kosovës kishte qenë ëndërr e tij, të cilën nuk kishte arritur ta realizonte, por që tashmë është duke e vazhduar vajza e tij.

Nuk arriti ta realizonte vetë ëndrrën për t’u bërë police, vajza ia përmbushi dëshirën

“Unë, si prind i saj, e kam pasur ëndërr këtë punë, por nuk pata mundësi unë ta arrija në atë kohë. Vajza e ka vazhduar këtë drejtim dhe shpresoj vetëm suksese për të gjithë. Ka qenë shumë e angazhuar, por ia ka dalë, ia ka dalë 100%”, ka thënë ai.

Kujtojmë, sot ka diplomuar gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës, së cilës i janë bashkuar rreth 400 pjesëtarë të rinj, përfshirë 118 vajza dhe gra. Diplomimi i gjeneratës së re vjen pas përfundimit të përgatitjes profesionale të kadetëve, të cilët tashmë i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës, me përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit.

Të Ngjashme