LifeStyle

Studimi – Jo fluturat në stomak: 3 shenjat reale të një lidhjeje të fortë, sipas psikologëve

Shumë njerëz janë rritur me idenë se lidhja perfekte duhet të jetë “e vrullshme” gjatë gjithë kohës: shumë pasion, shumë emocion, shumë kimi dhe asnjë moment monotonie. Por sipas psikologut Mark Travers, mënyra si duket në të vërtetë një marrëdhënie e shëndetshme është shpesh shumë më e qetë sesa na kanë mësuar filmat apo rrjetet sociale.

Në një artikull për Forbes, Travers shpjegon se shenjat më të rëndësishme të përputhshmërisë nuk shfaqen në momentet “wow”, por në detajet më të zakonshme të përditshmërisë.

Një prej tyre është aftësia për të qenë të mërzitshëm bashkë. Po, seriozisht. Sipas tij, çiftet që ndihen rehat edhe në heshtje, monotoni apo situata krejt banale, si pritja në radhë apo një ditë pa plane, shpesh kanë një ndjenjë më të fortë sigurie emocionale. Ai thotë se shumë njerëz e ngatërrojnë qetësinë me mungesën e kimisë, kur në fakt mund të jetë mungesa e ankthit.

Studimet në neuroshkencë tregojnë se lidhjet e sigurta nuk bazohen vetëm te adrenalina apo emocionet intensive, por te ndjesia e stabilitetit dhe mbështetjes reciproke.

Një tjetër shenjë që përmend psikologu janë konfliktet që përsëriten, por që menaxhohen mirë.

Sipas tij, çiftet e lumtura nuk janë domosdoshmërisht ata që nuk zihen kurrë. Përkundrazi, shumë prej tyre debatojnë për të njëjtat gjëra për vite me radhë. Diferenca është mënyra si rikthehen te njëri-tjetri pas debatit: a kërkojnë falje, a flasin sërish, a përpiqen ta zgjidhin problemin bashkë dhe jo të fitojnë debatin.

Dhe ndoshta pjesa më interesante është kjo: partneri juaj nuk duhet t’ju “plotësojë”.

Ideja e “gjysmës tjetër” mund të tingëllojë romantike, por psikologjia moderne thotë se marrëdhëniet më të shëndetshme janë ato ku të dy njerëzit ruajnë individualitetin e tyre. Miqtë e tyre, interesat e tyre, kohën e tyre personale dhe jo sepse e duan më pak njëri-tjetrin, por sepse një lidhje bëhet më e fortë kur nuk ka peshën për të qenë e vetmja gjë që ekziston në jetën tënde.

Partner/ja i/e duhur nuk është ai/ajo që e bën jetën të duket si film romantik gjatë gjithë kohës, por është ai/ajo me të cilin heshtja nuk bëhet e sikletshme, debatet nuk kthehen në luftë dhe individualiteti nuk shihet si kërcënim.

Të Ngjashme