Kuriozitete

Studimi – Si po ndihmon Sfinksi në zgjidhjen e një enigme për krokodilët e zhdukur

Nga Philip Mannion

Kolegët e mi dhe unë zbuluam një specie të re krokodili të zhdukur, nga një fosil i gjetur në të njëjtin shkëmb që u përdor për të gdhendur Sfinksin e Madh të Gizës.

Sot kanë mbetur vetëm dy specie krokodilësh gavialë me feçkë të gjatë, dhe të dyja janë të rrezikuara: Gavialis gangeticus dhe Tomistoma schlegelii. Ato gjenden vetëm në mjedise me ujë të ëmbël në nënkontinentin Indian dhe në Azinë Juglindore.

Megjithatë, të dhënat fosile të gavialëve datojnë 80 milionë vjet më parë, në kohën e dinozaurëve. Ato tregojnë se dikur kjo grup kafshësh ishte shumë i larmishëm, me mbi 40 specie të njohura, që jetonin në mbarë botën. Si ka mundësi, pra, që një grup krokodilësh që sot nuk e durojnë dot ujin e kripur, dikur jetonte në të gjithë globin? Zbulimi ynë mund të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj enigme.

Edhe pse kontinentet ishin të shpërndara ndryshe nga sot, shumica e tyre ishin tashmë të ndara nga oqeane. Kolegët e mi dhe unë po përpiqemi të kuptojmë si arritën gavialët të përhapeshin në mbarë botën, ndërkohë që kërkojmë edhe të zbulojmë çfarë i çoi në gjendjen e tyre të sotme.

Studimi i anatomisë së skeleteve të gavialëve të gjallë dhe fosilë na ka ndihmuar vitet e fundit të kuptojmë më mirë evolucionin e këtij grupi. Skanimet CT na kanë mundësuar të shohim brenda kafkave të tyre, duke na dhënë një pamje të trurit dhe sistemeve shqisore.

Kjo ka zbuluar të dhëna të reja anatomike që ndihmojnë në dallimin e specieve dhe na ka lejuar të nxjerrim përfundime për biologjinë dhe ekologjinë e disa specieve të zhdukura.

Për shembull, te një grup i zhdukur të afërmish të krokodilëve, që dihet se kanë jetuar vetëm në oqean, studiues të tjerë gjetën trashje të murit të jashtëm të veshit të brendshëm, që i ndihmonte të përballonin presionin më të lartë në thellësitë e oqeanit. Kolegët e mi dhe unë kemi gjetur shenja të ngjashme të një jete detare te disa fosile gavialësh. Speciet e sotme e kanë humbur këtë aftësi dhe janë të kufizuara në lumenj e liqene.

Disa nga fosilet e gavialëve që kemi studiuar në Afrikë dhe Europë u raportuan për herë të parë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Shpesh ato përshkruheshin si specie të gjinisë Tomistoma, pra si të afërta me Tomistoma schlegelii, një nga dy speciet e sotme të gavialëve. Studimet tona të mëparshme, si edhe ato të studiuesve të tjerë, kanë treguar se disa prej këtyre specieve të zhdukura nuk janë të afërta me Tomistoma dhe disa prej tyre kanë marrë emra të rinj. Megjithatë, shumë nga speciet e përshkruara historikisht mbeten të pastudiuara. Nën drejtimin e ish-studentit tim të doktoraturës, Paul Burke, tashmë studiues në Muzeun Suedez të Historisë Natyrore në Stokholm, dhe në bashkëpunim me kolegë nga Egjipti dhe Gjermania, ne rishqyrtuam njërën prej këtyre specieve në një studim të ri.

Në vitet 1920, në verilindje të Egjiptit u mblodhën disa fosile. Ato u gjetën në një shkëmb gëlqeror të njohur si Formacioni Mokattam, i cili ishte formuar 45 milionë vjet më parë në një mjedis detar të cekët, kur niveli i detit ishte më i lartë. Në atë kohë, kjo zonë ishte nën ujë. Fosilet, mes tyre edhe një kafkë pothuajse e plotë, u përshkruan në vitin 1927 si mbetje të gjinisë Tomistoma, për shkak të ngjashmërisë së tyre sipërfaqësore me specien e sotme Tomistoma schlegelii.

Megjithatë, falë skanimeve CT, ekipi ynë arriti të identifikonte disa dallime anatomike, përfshirë praninë e kreshtave të ngritura rreth gropave të syve, të cilat mungojnë te Tomistoma.

Image

Formacioni Mokattam ka lënë tashmë gjurmë në histori: 4 500 vjet më parë, këta shkëmbinj u përdorën për të gdhendur Sfinksin e Madh të Gizës. Por kafka e gavialit ka më shumë të përbashkëta me Sfinksin sesa vetëm origjinën. Ashtu si Sfinksit, të cilit i mungon maja e hundës, edhe fosilit i mungon maja e feçkës. Kjo rastësi na bëri t’i vëmë krokodilit të ri emrin Herugavialis cairensis, sipas perëndisë egjiptiane me kokë skifteri, Heru, e njohur edhe si Horus, që shpesh mendohet se ka frymëzuar Sfinksin ikonik.

Për pjesën më të madhe të 80 milionë viteve të fundit, Afrika e Veriut dhe Europa Jugore kanë pasur një larmi të madhe gavialësh dhe krokodilësh të tjerë. Këto specie lulëzonin në mjediset detare të cekëta që mbulonin një pjesë të madhe të rajonit të Mesdheut në atë kohë.

Ndryshe nga gavialët e sotëm, disa prej këtyre specieve ka të ngjarë të kenë qenë në gjendje të kalonin oqeanet. Kjo larmi duket se i mbijetoi zhdukjes masive shkatërruese që zhduku dinozaurët. Gjatë 60 milionë viteve pasuese, ajo ndoshta u shtua e u pakësua në periudha të alternuara ngrohjeje dhe ftohjeje, të lidhura përkatësisht me ngritjen dhe uljen e nivelit të detit.

Megjithatë, krokodilët u zhdukën nga rajoni i Mesdheut rreth 6 milionë vjet më parë dhe nuk u kthyen më. Zhdukja e tyre përkon me një ngjarje të njohur si kriza e kripësisë së Mesinës, kur Mesdheu pothuajse u tha, pasi u shkëput nga Oqeani Atlantik. Ndërsa uji i detit bëhej gjithnjë e më i kripur për shkak të avullimit të shtuar, ai do të bëhej gjithnjë e më i papërballueshëm për kafshët që jetonin aty, madje edhe për ato që zakonisht mund të jetonin në ujë të kripur. Kjo çoi në zhdukjen e krokodilëve dhe shumë specieve të tjera.

Gjurmët e kësaj ngjarjeje mund të vërehen edhe sot: Mesdheu është ende shumë më i kripur se oqeanet dhe në këtë rajon nuk ka më krokodilë. Gavialët e gjallë që kanë mbetur jetojnë larg Mesdheut, por humbja e përshtatjeve që do t’u mundësonin të jetonin në ujë të kripur do të thotë se ata nuk do të mund të mbijetonin atje gjithsesi.

Ndryshimet e shpejta dhe ekstreme të temperaturës, nivelit të detit dhe tharjes së klimës janë përbërës thelbësorë të krizës së sotme klimatike. Ngjarje si kriza e kripësisë së Mesinës tregojnë se ato mund të kenë pasoja afatgjata për biodiversitetin, që zgjasin miliona vjet. / The Conversation – Syri.net

Të Ngjashme