Tiranë – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti të enjten pretencën për dosjen “Plumbi i Artë”, një nga proceset më të rënda kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Prokurorja Doloreza Musabelliu kërkoi dënime nga 9 deri në 35 vjet burg për 15 të pandehurit, të akuzuar për vrasje me pagesë, atentate dhe trafik droge. Dënimet e kërkuara arrijnë gjithsej rreth 300 vjet burg.
Dënimet më të rënda, nga 35 vjet burg, janë kërkuar për Henrik Hoxhajn dhe Petrit Qolin. Për Nuredin Dumanin prokuroria kërkoi vetëm 10 vjet burg. Dumani është figura qendrore e dosjes dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë. Dënime më të ulëta u kërkuan edhe për dy bashkëpunëtorët e tjerë të drejtësisë, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase.
Dënimet e kërkuara nga SPAK
Nuredin Dumani – 10 vjet burg
Erjon Alibej – 15 vjet burg
Skerdi Tase – 13 vjet burg
Henrik Hoxhaj – 35 vjet burg
Enver Diva – 25 vjet burg
Besian Xhixha – 25 vjet burg
Asllan Plaku – 20 vjet burg
Ardian Ozuni – 15 vjet burg
Gentian Sharra – 9 vjet burg
Agron Qoli – 20 vjet burg
Petrit Qoli – 35 vjet burg
Fatos Gosa – 20 vjet burg
Xhulian Hoxha – 20 vjet burg
Albert Pashaj – 15 vjet burg
Altin Ndoci – 25 vjet burg
Një dekadë vrasjesh me porosi
Operacioni “Plumbi i Artë” nisi në mars të vitit 2022, pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt. Dumani vendosi më pas të bashkëpunojë me drejtësinë. Dëshmitë e tij zbardhën një seri krimesh të grupeve kriminale, kryesisht në Elbasan, Durrës dhe Tiranë, të kryera nga viti 2011 deri në vitin 2022.
Mes ngjarjeve të hetuara janë vrasja e Emiljano Ramazanit dhe ekzekutimi i vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës. Hetohen gjithashtu vrasjet e Fatmira Dedjes dhe Bujar Çelës në Elbasan. Hetimi zbuloi edhe porosi për eliminimin e personave të tjerë, kundrejt pagesave deri në qindra mijëra euro. Pjesë e provave janë edhe komunikimet në platformën e enkriptuar Sky ECC.
Henrik Hoxhaj e kishte fillimisht statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por SPAK ia hoqi më vonë. Gjatë procesit, ai ka dëshmuar për porosi vrasjesh dhe atentate të lidhura me Dumanin. Ndër të tjera, në gjykatë ai ka rrëfyer atentatin e janarit 2022 ndaj biznesmenit Lulzim Masha. Sipas Hoxhajt, Dumani i kishte ofruar gjithsej 250 mijë euro për të vrarë Mashën dhe djalin e tij.
Në kuadër të kësaj dosjeje është dënuar më herët me 28 muaj burg edhe Leonard Palushi, ish-shefi i sektorit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit. Pas pretencës së prokurorisë, procesi në Gjykatën e Posaçme vijon me parashtrimet e mbrojtjes. Vendimi i gjykatës pritet në seancat e ardhshme.
