Filmi i ri i regjisorit të njohur Christopher Nolan, “The Odyssey”, ka nisur me një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke arkëtuar 264 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë të shfaqjes.
Filmi ka shënuar debutimin më të madh ndërkombëtar në karrierën e Nolan, duke tejkaluar pritshmëritë e industrisë së kinemasë. Vetëm në Amerikën e Veriut, produksioni siguroi 124.5 milionë dollarë, duke u renditur ndër hapjet më të suksesshme të vitit 2026.
Suksesi i “The Odyssey” vlerësohet edhe më i veçantë për shkak të faktit se filmi është një përshtatje e një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë antike, ndërsa ka klasifikimin R, që kufizon një pjesë të audiencës së re.
Projekti ka kaluar gjithashtu debutimin fillestar të “Oppenheimer”, një tjetër film i Nolan që në fund arriti të grumbullojë rreth 975 milionë dollarë në arkëtimet globale.
Me një buxhet të raportuar rreth 250 milionë dollarë, “The Odyssey” është edhe filmi i parë artistik i realizuar tërësisht me kamera IMAX, një zgjedhje që regjisori e ka përdorur për të sjellë një përvojë më madhështore vizuale.
Analistët e industrisë parashikojnë se filmi ka potencialin të kalojë shifrën e 1 miliard dollarëve në arkëtimet globale, ndërsa pritet të mbetet ndër prodhimet më të shikuara edhe në javët e ardhshme.
