Avokati mbrojtës i familjes Ademaj, Leutrim Syla, ka vazhduar paraqitjen e argumenteve në seancën gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj-Murselit, duke nxjerr detaje të reja nga procesi.
Sipas tij, Naim Murseli ka dhënë versione të ndryshme gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, ndërsa nga provat është vërtetuar se arma me të cilën u krye krimi ishte siguruar nga Granit Plava. Ai shtoi se mes të akuzuarve kishte komunikim dhe kontakt të vazhdueshëm.
“Nga provat materiale dhe personale është konfirmuar se Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën, kishin planifikuar vrasjen e Liridona Ademajt, por ai vetë nuk kishte pranuar ta kryente vrasjen”, deklaroi Syla.
Ai përmendi edhe një provë tjetër, ku sipas tij, të tre të akuzuarit shihen së bashku duke u larë në një liqen, gjë që dëshmon për afërsinë dhe raportin e tyre të ngushtë, transmeton IndeksOnline.
Po ashtu, avokati tha se në komunikimet mes tyre dëgjohet shprehja: “Kjo punë kryhet nesër, sigurt”, ndërsa sipas tij, ata kishin përdorur nofka për të fshehur identitetin.
Një detaj tjetër i përmendur nga Syla ishte edhe dëshmia e Shaban Murselit, babait të Naimit, i cili ka deklaruar se djalit të tij i ishin shfaqur disa fotografi, përfshirë edhe fotografi intime.
Syla shtoi se Naim Murseli ka dhënë deklarata të pavërteta lidhur me blerjen e armës, ndërsa tha se Granit Plava gjatë procesit ka ndryshuar dhe plotësuar dëshminë e tij.
