Temperaturat në Shqipëri pritet të rriten ndjeshëm në ditët në vijim, me vlera që do të kalojnë 40 gradët në disa zona të vendit.
Meteorologia Tanja Porja deklaroi se gjatë ditës së nesërme temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në qytete si Shkodra, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra, ndërsa Tirana, Durrësi dhe Fieri pritet të regjistrojnë rreth 39 gradë.
Sipas saj, temperaturat minimale do të mbeten të larta, duke arritur në 28-29 gradë në disa zona, çka e bën situatën më të vështirë për shkak të mungesës së freskimit gjatë natës.
“Diferenca vetëm 10 gradë mes temperaturës minimale dhe asaj maksimale është mbytëse, pasi trupi nuk arrin të çlodhet”, u shpreh Porja.
Meteorologia bëri të ditur se nga e premtja pritet një ulje graduale e temperaturave, ndërsa pas ditës së dielë temperaturat minimale pritet të normalizohen.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se nga java e ardhshme temperaturat mund të zbresin në 35-36 gradë Celsius, por një tjetër valë e të nxehtit pritet në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.
