Fundjava pritet të sjellë mot të qëndrueshëm në pjesën më të madhe të territorit, me kthjellime dhe temperatura relativisht të larta për këtë periudhë të vitit.
Meteorologu i MeteoAlb, Hakil Osmani, deklaroi në një lidhje live për një studio televizive se temperaturat maksimale gjatë fundjavës pritet të arrijnë deri në 27-28°C, ndërsa orët e mëngjesit do të vijojnë të jenë të freskëta.
Sipas tij, në zonat malore temperaturat minimale do të luhaten rreth 8-9°C, ndërsa në ultësirën perëndimore priten vlera nga 13°C deri në 17-18°C përgjatë vijës bregdetare.
Gjatë ditës do të ketë intervale të gjata me diell, duke krijuar kushte të favorshme edhe për pushuesit në bregdet. Vranësira të lehta mund të shfaqen gjatë orëve të pasdites në zonat malore, por pa reshje shiu.
Sa i përket muajit tetor, Osmani parashikon që 15 ditëshi i parë të karakterizohet përgjithësisht nga temperatura mbi vlerat normale. Temperaturat e mëngjesit do të jenë rreth 1.5°C më të larta se mesatarja, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme pritet një tjetër rritje e tyre.
Meteorologu bëri me dije se gjatë pjesës së parë të tetorit priten vetëm një ose dy episode me reshje. Një prej tyre mund të regjistrohet gjatë fundjavës së ardhshme, kur pritet shtim i vranësirave dhe shfaqje të reshjeve të shiut, përfshirë edhe rrebeshe.
Në pjesën tjetër të 15 ditëshit të parë të muajit, sipas parashikimit, moti do të dominohet kryesisht nga ditët me diell dhe temperaturat mbi normat sezonale.
