Lajme

Ligjet e rëndësishme mbesin pezull, kërkohet miratimi i tyre para 6 tetorit

Kur afati për zgjedhjen e presidentit po ngushtohet, projektligje të rëndësishme që prekin jetën e qytetarëve kanë mbetur pa u miratuar. Në rast se nuk ka zgjidhje politike, këto çështje do të mbesin pezull edhe më tej. Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, thotë se ligjet do të trajtohen së shpejti në parlament. Ndërsa, njohësit e fushës kërkojnë që ligji për ndarjet buxhetore, ligjet që janë të nevojshme për Planin e Rritjes, marrëveshjet ndërkombëtare si dhe ai për Dhomat e Specializuara të trajtohen para 6 tetorit.

Kur Kosova po i afrohet afatit të fundit për zgjedhjen e presidentit, në Kuvend kanë mbetur pa u miratuar një varg projektligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare me rëndësi për vendin.

Njohësit e fushës kërkojnë që para 6 tetorit të trajtohen çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, financa dhe përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

E pyetur për këtë, ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se projektligjet do të trajtohen së shpejti në parlament.

Mes ligjeve, ai për ndarjet buxhetore, ligjet për Planin e Rritjes si dhe marrëveshjet ndërkombëtare, kërkohet që të trajtohen më së largu në fillim të javës së ardhshme.

E në listën e çështjeve që po kërkohet vëmendje është edhe projektligji për Dhomat e Specializuara.

“Do të duhej që disa çështje kryesore të shkonin përpara. Veçanërisht ligjet që lidhen me Planin e Rritjes, ligji për ndarjet buxhetore, dy-tri ligje që mund të lidhen me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Do të duhej t’i kushtohej kujdes të veçantë edhe projektligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD.

Por për miratimin e disa prej këtyre ligjeve, nevojiten edhe votat e opozitës.

Për ekspertët, një krizë e re politike nuk nënkupton vetëm zgjedhje të reja, por edhe ngadalësim të reformave, vonesa në miratimin e ligjeve që prekin jetën e qytetarëve e humbje të miliona eurove.

Të Ngjashme