Lajme

Thyerjet e rregullave të qarkullimit rrugor/ Policia e Tiranës në aksion, arrestohen 32 persona dhe vendosen mbi 13 mijë gjoba

Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet 24 orë në 7 ditë në akset lidhëse dhe rrugët me frekuentim të lartë, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar shkelje të ndryshme, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar automjeteve që shkaktojnë zhurma, tejkalimit të shpejtësisë, si dhe drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, 32 shtetas janë arrestuar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. Sipas Policisë, dy prej tyre tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë pasi u konstatuan duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur në total 13 467 masa administrative.

Sipas Policisë Rrugore, masat janë ndarë si më poshtë:

4 998 masa për shkelje të sigurisë rrugore;

7 868 masa për shkelje të rregullave të ndalimit, pushimit dhe qëndrimit, të cilat pengojnë qarkullimin dhe krijojnë kaos në trafik;

1 093 masa për drejtuesit e motomjeteve që nuk kanë respektuar përdorimin e kaskës mbrojtëse;

83 masa për automjetet që krijojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme;

418 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

309 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;

19 drejtues janë ndëshkuar për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;

75 mjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme rrugore.

Policia Rrugore apelon për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit, duke kërkuar shmangien e drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të tregojnë më shumë përgjegjshmëri, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.

Të Ngjashme