Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për vrasjen e gruas në Livoç të Ulët në Gjilan, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, në një ngjarje ku humbi jetën edhe vëllai i saj, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.
Në reagim thuhet se e vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i saj është një akt i rëndë dhune që nuk mund të arsyetohet me konflikte apo mosmarrëveshje të mëhershme.
“Asnjë rrethanë nuk e justifikon marrjen e jetës së një gruaje. Kjo ngjarje rikujton edhe një herë pasojat fatale të dhunës ndaj grave dhe nevojën urgjente për parandalim dhe reagim institucional efektiv”.
RrGK kërkon hetim të plotë të rastit, zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe vënien para drejtësisë të personit përgjegjës.
“Parandalimi i këtyre vrasjeve kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror, si dhe masa konkrete për të garantuar sigurinë dhe jetën e grave”.
