E premtja është dita e tretë e punës për të.
Por presidentja e re e Kosovës, për këto 72 orë ka marrë disa vendime të rëndësishme.
Njëri nga ta, emërimi i stafit të saj.
Siç merr vesh televizioni, me nënshkrimin e saj, Justina Shiroka Pula e ka emëruar Berita Abazin në pozitën shefes të kabinetit.
Abazi është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim prej saj, por nuk ka kthyer përgjigje.
Njëjtë ka vepruar edhe zyra e Presidencës.
Një emër tjetër i cili është duke u përfolur se do të emërohet si këshilltar i Presidentes Shiroka – Pula, është edhe Bekim Kupina, i cili ka shërbyer si këshilltar për medie në kohën e Presidentes, Vjosa Osmani – Sadriu.
Të premten, Kupina as nuk e pohoi e as nuk e mohoi këtë lajm.
Emërimet e Shiroka – Pulës, akoma nuk figurojnë në faqen e Presidencës.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Alija, thotë se emërimet e reja do të duhej të ishin ekspert jo-politik.
“Nëse flasim për një post konsensual ose për një post jo partiak sic është presidentja atëhërë do të kishte qenë e rrugës që edhe stafi të jetë jo partiak, pasi që në këtë rast po flasim për disa emra që janë klasik partiak mirëpo prapë mendoj që do të ketë kohë, është vetëm dita e tretë e presidëntes në detyrë, disa emërime mund të jenë në formë tranzitore kështu që nëse janë vendime të formës tranzitore janë të kuptueshme, me kalimin e kohës do të shohim që zonja presidente të krijoj një staf të saj dhe me kalimin e kohës njerëzit mund të ndryshojnë”, tha Alija.
Berita Abazi që momentalisht është edhe asambleiste e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, u pa duke e shoqëruar Presidenten e re, përgjatë homazheve në Prekaz tek kompleksi i familjes Jashari, tek varri i ish-Presidentit, Ibrahim Rugova, si dhe tek vendi ku prehet veprimtari Adem Demaçi.
